Bayerni kërkon të blindojë Olise, por dështon takimi i parë për rinovimin
Bayerni nuk ka ndërmend të heqë dorë nga një prej lojtarëve më të rëndësishëm të skuadrës, Michael Olise, dhe po punon për t’i ofruar një kontratë të re me kushte të përmirësuara për të larguar interesimin në rritje të Real Madrid.
Sipas raportimeve nga mediat gjermane, drejtuesit bavarezë kanë kontaktuar tashmë përfaqësuesit e futbollistit francez me synimin për të zgjatur marrëveshjen aktuale dhe për ta bërë atë një nga lojtarët më të paguar të skuadrës. Oferta e re parashikon një pagë prej rreth 25 milionë eurosh në sezon.
Megjithatë, tentativa e parë e Bayernit nuk ka marrë përgjigjen e pritur. Olise raportohet se ka refuzuar një takim joformal për diskutimin e rinovimit, pa dhënë sinjale të qarta për planet e tij në të ardhmen.
Ky qëndrim ka shkaktuar shqetësim në klubin gjerman, i cili e konsideron sjelljen e lojtarit të vështirë për t’u interpretuar. Dyshimet janë shtuar edhe më shumë pas raportimeve se francezi ka fshirë nga rrjetet sociale disa fotografi me fanellën e Bayern Munichut, veprim që ka nxitur spekulime mes tifozëve dhe mediave.
Pavarësisht këtyre zhvillimeve, Olise mbetet i lidhur me klubin bavarez me kontratë deri në vitin 2029, çka i jep Bayernit një pozicion të fortë në çdo negociatë të mundshme.
23-vjeçari u transferua nga Crystal Palace dy vite më parë dhe ka qenë një nga lojtarët më vendimtarë të skuadrës. Në 107 ndeshje me fanellën e Bayernit, ai ka realizuar 42 gola dhe ka dhënë 54 asistime, statistika që e kanë vendosur mes sulmuesve anësorë më të mirë në futbollin europian.
Ndërkohë, interesimi i Real Madridit vazhdon të jetë i fortë. Sipas raportimeve, gjigantët spanjollë janë të gatshëm të investojnë deri në 150 milionë euro për të siguruar shërbimet e francezit dhe për ta afruar në projektin e trajnerit José Mourinho.
KOHA JONË SONDAZH

