Bayerni shumë i fortë për Leverkusen, ekipi i Kompany fiton dhe me rezervat
Bayern Munich vijon ecurin perfekte këtë sezon, duke regjistruar fitoren e 15-të radhazi në të gjitha kompeticionet. Skuadra e drejtuar nga Vincent Kompany triumfoi me rezultatin 3-0 ndaj Bayer Leverkusenit në “Allianz Arena”.
Trajneri belg vendosi të kursejë disa prej titullarëve kryesorë, me mendjen tek supersfida e mesjavës kundër PSG-së në Champions League, por kjo nuk e pengoi Bayernin të zhvillonte një ndeshje të shkëlqyer.
Golat për kampionët në fuqi u shënuan të gjithë në pjesën e parë. Serge Gnabry zhbllokoi rezultatin në minutën e 25-të, pas një asisti nga Bischof. Vetëm gjashtë minuta më vonë, Nicolas Jackson realizoi golin e dytë me kokë, pas krosimit të saktë të Konrad Laimer, duke shënuar kështu golin e tij të parë në Bundesliga. Në minutën e fundit të pjesës së parë, Loic Badé devijoi në portën e vet një top të ardhur nga Joshua Kimmich, duke vulosur rezultatin përfundimtar 3-0.
Në pjesën e dytë, Kompany aktivizoi edhe emra të rëndësishëm si Harry Kane, Michael Olise dhe Luis Díaz, por rezultati mbeti i pandryshuar. Me këtë fitore, Bayern Munich ruan kreun e Bundesligës me 27 pikë të plota pas 9 javësh, pesë më shumë se ndjekësi më i afërt, Leipzig, që ka 22 pikë.
KOHA JONË SONDAZH

