Bellingham i “guximshëm”: Dua Spanjën në finalen e Europianit!
Anglia siguroi një biletë për në fazën gjysmëfinale të “Euro2024”, por kritikat nuk kanë munguar për lojën e skuadrës. Në qendër të kritikave ka përfunduar edhe Harry Kane, ku mediat e vlerësuan me notën 4 duke shtuar se: “Dukej i lodhur”.
Kjo formë gjithsesi nuk e tremb aspak yllin e Anglisë, Jude Bellingham, i cili kërkon që në finale të ketë si kundërshtar Spanjën.
“Shpresoj. Spanja ka luajtur shumë mirë këto tre javë, pra gjithçka është e mundur. Gjithsesi, e gjithë vëmendja ime është tek Anglia, te shokët e mi”, u shpreh ndër të tjera Bellingham.
Anglia fillimisht duhet të kalojë pengesën Holandë në gjysmëfinale, ndërkohë që Spanja ka një duel delikat ndaj Francës.