Berat Gjimshiti: Jemi gati për Slavian, duam fitoren për të bërë hapin e madh në Champions!

Mbrojtësi shqiptar i Atalantës, Berat Gjimshiti, ka folur para mediave në prag të ndeshjes së rëndësishme të Ligës së Kampionëve ndaj Slavia Pragës, duke theksuar se skuadra është e përgatitur për një tjetër sfidë të vështirë në arenën evropiane.

“Ndeshja e nesërme do të jetë e vështirë, si çdo përballje në Champions League. Slavia është një ekip që është mësuar të fitojë në kampionatin e vet. Njoh disa prej lojtarëve të tyre, përfshirë edhe sulmuesin Chory, i cili është shumë i fortë fizikisht dhe i rrezikshëm në zonë,”  tha kapiteni i Kombëtares shqiptare.

Gjimshiti shtoi se përvoja e viteve të fundit e ndihmon për të përballuar ritmin intensiv të garave, si me klubin ashtu edhe me Kombëtaren.

Swiss Digital Desktop Reklama

“Në vitet e fundit jam mësuar të luaj shumë ndeshje. Nuk ka shumë kohë për t’u rikuperuar, por përvoja ndihmon. Taktikisht, ka dallime mes Atalantës dhe Kombëtares, por më e rëndësishmja është të ndihesh mirë dhe të japësh maksimumin.”

Swiss Digital Mobile Reklama

Mbrojtësi 31-vjeçar e konsideron ndeshjen ndaj Slavia Pragës si një moment kyç për rrugëtimin e Atalantës në grup.

“Kjo sfidë është po aq e rëndësishme sa çdo ndeshje tjetër, por mund të jetë vendimtare për rrugën tonë. Fitorja do të na lejojë të bëjmë një hap të madh përpara. Të fitosh në Evropë nuk sjell vetëm pikë, por edhe shumë vetëbesim.”

Në fund, Gjimshiti shprehu krenarinë për rrugëtimin e tij me fanellën zikaltër dhe dëshirën për të vazhduar gjatë me Atalantën.

“Në letër mund të quhem ‘veteran’, por jam po aq i uritur sa më parë. Jam krenar për gjithçka që kam arritur me këtë klub. Falënderoj stafin dhe shokët e skuadrës që më kanë ndihmuar të arrij në këtë nivel. Kur erdha në Bergamo, gjërat ishin ndryshe. Tani jam shumë i lumtur dhe shpresoj të luaj edhe dyqind ndeshje të tjera.”

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?