Berati nuk i përket Zvicrës! Xhimshiti pranon të vishet kuqezi
Berat Xhimshiti nuk mund ta tradhtonte lehtë emrin që mban. Futbollisti me origjinë kosovare konfirmon zgjedhjen e tij për të luajtur me kombëtaren e vendit të tij, Shqipërinë. Nëpërmjet një komunikate për shtyp FC Zyrich, skuadra ku luan mbrojtësi 22- vjeçar, bëri të ditur se Xhimshiti kishte mundësinë të luante si për Zvicrën ashtu edhe për Shqipërinë duke patur nënshtetësi të dyfishtë. Por vendimi i tij ka qenë në favor të skuadrës Kuq e Zi. Zgjedhje logjike, sepse do të ishte e çuditshme nëse do të kishte një Berat te Zvicra, pavarësisht se aksidentalisht ka një Shkodran, por jo një Shkodër te Gjermania. Gjithsesi mbrojtësi 22-vjeçar ka shpjeguar dhe arsyet e kësaj zgjedhjeje nëpërmjet një deklarate të shkurtër ku shprehet : “Drejtuesit e Federatës Shqiptare më kanë ndjekur prej muajsh dhe më kanë kërkuar disa herë, ndaj dhe unë ju kam dhënë atyre premtimin se do të luaj në të ardhmen me Shqipërinë”.
Talenti 22-vjeçar është pajisur vetëm para pak kohësh me shtetësinë shqiptare. Grumbullimi me kombëtaren shqiptare i qendërmbrojtësit që është aktivizuar me ekipet e moshave dhe atë të 21-vjeçarëve të Zvicrës është paralajmëruar më herët nga trajneri De Biasi, i cili pritet ta ftojë Xhimshitin për ndeshjet e radhës zyrtare, me Danimarkën dhe Portugalinë.
KOHA JONË SONDAZH

