Bernardo Silva po luan sezonin e fundit me City-in, Milani dhe Juvja gati të përfitojnë
Bernardo Silva ka ndezur diskutimet rreth së ardhmes së tij, teksa pranon se kjo mund të jetë sezoni i fundit me Manchester City-n. Mesfushori portugez, një nga figurat kryesore të epokës Guardiola, shprehet mirënjohës për gjithçka që futbolli i ka dhënë, por thekson se ambicia për të qëndruar në majën e futbollit europian mbetet e pandryshuar.
Silva tregon se nuk dëshiron të bëjë plane afatgjata, por është i përqendruar te mbyllja perfekte e këtij cikli të suksesshëm me “qytetarët”, ku ka fituar gjashtë tituj në tetë vitet e fundit.
“Nuk e kisha imagjinuar kurrë një sukses të tillë. Futbolli më ka dhënë më shumë sesa kam ëndërruar, por nuk jam ndalur ende. Dua të vazhdoj në nivele të larta”, u shpreh ai.
Ndërsa vështrimi i tij është ende te Manchester City, portugezi nuk e fsheh dëshirën për të fituar Kupën e Botës me kombëtaren e tij: “Është ëndrra e çdo portugezi dhe unë dua ta realizoj”.
E ardhmja e Silvës mbetet e hapur dhe fjalët e tij kanë ringjallur interesin e klubeve të mëdha europiane. Ekipet e Serie A, veçanërisht Milan dhe Juventus, e kanë pëlqyer prej kohësh profilin e tij, por operacioni mbetet i vështirë për shkak të kostove të larta.
Me kontratë deri në qershor 2026 dhe një pagë prej mbi 10 milionë euro neto në sezon, çdo klub që synon ta transferojë duhet të përgatitet për një investim të rëndësishëm.
KOHA JONË SONDAZH

