Bielsa largohet nga Uruguai pas eliminimit zhgënjyes: Askush nuk ishte i interesuar për atë që kisha për të thënë!
Trajneri argjentinas Marcelo Bielsa i ka dhënë fund aventurës së tij në krye të përfaqësueses së Uruguait. Lajmi u konfirmua gjatë një konference të gjatë për shtyp, që zgjati rreth 100 minuta, ku tekniku foli hapur për situatën e krijuar pas eliminimit zhgënjyes të skuadrës në fazën e grupeve.
Pas dështimit të Uruguait, mediat vendase raportuan për marrëdhënie jo të mira mes Bielsës dhe futbollistëve të ekipit kombëtar. Duke komentuar këto spekulime, trajneri u shpreh se mesazhet dhe idetë e tij nuk kishin gjetur interes te të tjerët.
“Për një gjë jam absolutisht i sigurt: askujt nuk i interesonte ajo që unë dija. E kuptoj kur dikush është i interesuar për atë që kam për të thënë. Asgjë nga ajo që jam përpjekur të komunikoj nuk ishte e rëndësishme për askënd, në asnjë nivel. Nuk e shoh si diçka të keqe, por është e qartë se askush nuk ishte i interesuar për atë që përpiqesha të përcillja”, deklaroi Bielsa.
Gjatë konferencës, ai sqaroi edhe një nga temat më të diskutuara pas humbjes ndaj Spanjës, që lidhej me gjendjen shëndetësore të portierit veteran, Fernando Muslera. Sipas raportimeve, Bielsa nuk kishte qenë në dijeni të temperaturës së lartë të portierit para ndeshjes.
Ish-trajneri i Uruguait mohoi këto pretendime dhe theksoi se stafi teknik ishte plotësisht i informuar.
“Një ditë para ndeshjes, Muslera kishte temperaturë 38.1 gradë dhe, sigurisht, unë isha në dijeni të kësaj. Ditën e ndeshjes ai nuk kishte më temperaturë dhe ishte gati për të luajtur. Nuk kishte dhimbje dhe as ethe. Ishte në kushte optimale”, sqaroi Bielsa.
KOHA JONË SONDAZH

