Bild: Granit Xhaka i zë vendin Alonsos tek Bajerni
Nuk ka dyshime , Bajern Mynih pëlqen Granit Xhakë, vëllain e Taulantit, lojtarit të kombëtares sonë. Kjo u bë më e qartë pas deklaratave të fundit të ardhura nga klubi bavarez.
Kapiteni i Borusias së Mynshengladbahut mund të mos jetë alternativa e vetme për Pep Guardiolën, por është padyshim alternativë tepër e vlefshme.
Fill pas fitores së madhe të Gladbahut ndaj Bajernit, duke i shkaktuar humbjen e parë në Bundesligë, gazeta “Bild” shkroi se sigurt se shqiptari i Zvicrës do të jetë pasardhësi i Shabi Alonsos në Mynih.
Mesfushori 23-vjeçar, sipas “Bildit” do të ishte zëvendësuesi më i mirë i baskut që ka mbushur 34 vjeç.
Drejtori sportiv i Bajernit, Matias Zamer, nuk e hodhi poshtë interesimin.
“Granit Xhaka është një lojtar shumë i mirë, – tha ai, – nuk ka dyshim për këtë, veçse unë jam habitur nga lajmet në media që e japin të sigurt si zëvendësuesin e Shabi Alonsos tek Bajerni”.
Lojtari me origjinë nga Kosova do të duhet, pra, të fitojë ndaj një konkurrence të fortë, ndërsa mund të jetë vetë Zamer për të bërë zgjedhjen, pasi ai mund të ulet në stolin e bavarezëve në rast të ikjes së Guardiolës.
Me gati 100 ndeshje në Bundesligë, në të cilat ka shënuar 6 gola e ka dhënë 2 asistë, Xhaka cilësohet si një nga mesfushorët më të mirë në Europë, ndërsa për të interesohen edhe klube të tjerë të rëndësishëm në Angli, Spanjë apo Itali.
KOHA JONË SONDAZH

