Bisseck dhe Lautaro, Interi bën detyrën në transfertën ndaj Genoas
Interi ka reaguar në mënyrën më të mirë pas humbjes së hidhur në Champions League ndaj Liverpoolit. Në javën e 15-të të Serie A, skuadra e drejtuar nga Cristian Chivu triumfoi 2-1 në transfertën ndaj Genoas dhe u ngjit e vetme në krye të renditjes, duke kaluar si Napolin ashtu edhe Milanin.
Një fitore me peshë të dyfishtë për zikaltërit, që shkojnë në kuotën e 33 pikëve, një më shumë se Milani i Allegrit dhe dy më shumë se Napoli i Contes, duke iu afruar edhe ndeshjes së Superkupës italiane me statusin e liderit të kampionatit.
Interi goditi menjëherë: në minutën e 6-të, Bisseck realizoi me të majtën në zonë, duke surprizuar Lealin në shtyllën e parë dhe duke zhbllokuar rezultatin. Pas golit, zikaltërit morën kontrollin e lojës, qarkulluan topin me qetësi dhe sulmuan me shumë lojtarë, ndërsa Genoa u mbrojt e organizuar dhe kërkoi kundërsulmet.
Në minutën e 38-të ishte vetë kapiteni argjentinas, Lautaro që dyfishoi shifrat, duke shfrytëzuar forcën fizike ndaj Marcandallit dhe duke realizuar sërish me të majtën. Goli vulosi dominimin e Interit në pjesën e parë.
Në pjesën e dytë, Interi uli ritmin dhe tentoi të administronte avantazhin, por Genoa rihapi ndeshjen falë një aksioni të bukur individual të Vitinhas, i cili mposhti mbrojtjen zikaltër dhe shënoi golin e shpresës, por që nuk do të ndryshonte asgjë më pas deri në fund.
KOHA JONË SONDAZH

