Bodo/Glimt turpëron Interin, zikaltrit eliminohen nga Champions League
Eliminim i rëndë për Inter në Champions League. Skuadra zikaltër nuk arriti të përmbysë humbjen 3-1 të ndeshjes së parë në Norvegji dhe u mposht edhe në sfidën e kthimit nga Bodø/Glimt, që fitoi 2-1 dhe siguroi një kualifikim historik për në fazën e 1/8-ave, ku do të përballet me njërën mes Manchester City dhe Sporting.
Formacioni i drejtuar nga Cristian Chivu krijoi shumë pak raste. Vetëm disa tentativa me kokë nga Sebastiano Esposito, Davide Frattesi dhe Alessandro Bastoni shqetësuan portën kundërshtare, por pa rezultat.
Rënia e vërtetë erdhi në pjesën e dytë. Në minutën e 58-të, një gabim i rëndë në prapavijë nga Manuel Akanji i dha mundësi norvegjezëve të sulmonin. Yann Sommer arriti të presë goditjen e parë, por nuk mundi të ndalë topin e dytë të shtyrë në rrjetë nga Jens Petter Hauge.
Trajneri tentoi të ndryshojë rrjedhën e lojës duke hedhur në fushë Ange-Yoan Bonny, Mahamadou Diouf dhe Luka Sučić, por pa sukses. Në minutën e 72-të, pas një aksioni të nisur sërish nga Hauge, Håkon Evjen u fut në zonë dhe shënoi golin e dytë.
Interi arriti vetëm të shkurtojë diferencën me Bastonin, në një aksion ku portieri Nikita Haikin e kontrolloi topin pasi kishte kaluar vijën fatale. Megjithatë, kjo nuk mjaftoi për të ndezur një përmbysje të mundshme.
Bodø/Glimt mbrojti avantazhin deri në fund dhe shkroi një faqe historike për klubin, ndërsa Interi i jep lamtumirën Evropës. Tashmë zikaltërit do të duhet të përqendrohen te gara për titull në kampionat dhe Kupën e Italisë.
Pas fitores në ndeshjen e parë në Baku 1-6, në sfidën e kthimit të luajtur në “St.James’Park”, Newcastle fitoi 3-2. Në sfidën e fundit, Leverkusen barazoi pa gola në shtëpi ndaj Olympiakos. Gjermanët shkojnë më tutje pas fitores 0-2 në Pire, një javë më parë.
KOHA JONË SONDAZH

