Nelson Hysa, i pamposhtur në ring: 23 fitore, 21 nokautë dhe një tjetër mbrojtje e lavdishme e titullit WBO në Angli

Boksieri shqiptar Nelson Hysa vazhdon të mahnisë botën e sportit të dorës së hekurt me një tjetër paraqitje spektakolare. Në mbrëmjen e së shtunës, në qytetin Ipswich të Anglisë, Hysa regjistroi fitoren e tij të 23-të radhazi, duke mbrojtur me sukses titullin WBO për kategorinë e peshave të rënda në zonën evropiane.

Përballë tij qëndroi gjermani me përvojë Patrick Korte (bilanc 22-5-1), i cili nuk mundi t’i rezistonte furisë së goditjeve të shkodranit. Me një “knockout” të pastër, Hysa e mbylli duelin brenda dy raundeve, duke dëshmuar jo vetëm fuqinë e tij fizike, por edhe një shpejtësi të jashtëzakonshme për një sportist në këtë kategori peshe – aq më tepër në moshën 40-vjeçare.

Kjo fitore i shton një tjetër kapitull të artë karrierës së Hysës, i cili tashmë numëron 21 fitore me nokaut në 23 përballje, një statistikë që dëshmon dominimin absolut dhe stilin e tij agresiv e efikas në ring.

Performanca e fundit konfirmon se Nelson Hysa nuk është thjesht një kampion rajonal, por një kandidat serioz për sfida në nivelet më të larta të boksit profesionist botëror. Ai është i pamposhtur, i palëkundur dhe me një përkushtim të admirueshëm që sfidon çdo kufi moshe.

I lindur dhe formuar në Shkodër, Hysa ka ruajtur gjithmonë një lidhje të fortë me rrënjët e tij, duke u kthyer në një model frymëzimi për të rinjtë shqiptarë, jo vetëm në sport, por edhe në forcën e karakterit dhe përkushtimin e pandalshëm për arritjen e ëndrrave.

Me këtë triumf në Ipswich, Nelson Hysa jo vetëm që mbron titullin e tij evropian, por ngjit edhe më lart aksionet e tij në skenën ndërkombëtare të boksit. E ardhmja për të është e hapur: një përballje për titull bote mund të mos jetë më thjesht një ëndërr, por një horizont i afërt.

Albert Vataj

SHKARKO APP