Botërori 2026 mund të thyejë një tabu historike/ A do të shpallet për herë të parë kampione një kombëtare me trajner të huaj?

Kupa e Botës 2026 mund të sjellë një nga revolucionet më të mëdha në historinë e futbollit. Për herë të parë, ekziston mundësia reale që trofeu më prestigjioz i futbollit të fitohet nga një kombëtare e drejtuar nga një trajner i huaj.

Historia e Botërorëve ka qenë e qartë deri më sot: asnjë kombëtare nuk është shpallur kampione bote me një trajner që nuk ka lindur në vendin që ka fituar trofeun. Pavarësisht dekadave të globalizimit në futboll dhe qarkullimit të lirë të lojtarëve e trajnerëve, ky rekord ka mbetur i paprekur.

Dy trajnerë kanë qenë shumë pranë thyerjes së këtij tabuje. Në vitin 1978, austriaku Ernst Happel e çoi Holandën deri në finalen e Botërorit, por u mposht nga Argjentina. Edhe anglezi George Raynor drejtoi Suedinë deri në finalen e vitit 1958, ku u mund nga Brazili i legjendarit Pelé.

Swiss Digital Desktop Reklama

Sot, në prag të Botërorit 2026, shumë sy janë drejtuar nga Carlo Ancelotti. Trajneri italian është bërë trajneri i parë jo-brazilian në historinë e kombëtares së Brazil, një vendim që dikur do të ishte konsideruar i paimagjinueshëm në vendin e futbollit. Megjithatë, reputacioni dhe suksesi i Ancelottit kanë bindur drejtuesit dhe tifozët brazilianë se ai mund të jetë njeriu i duhur për të rikthyer trofeun në Rio.

Swiss Digital Mobile Reklama

Një tjetër italian në garë është Vincenzo Montella, i cili drejton Turqinë, ndërsa kampioni i botës 2006, Fabio Cannavaro, ka marrë drejtimin e Uzbekistanit në një mision ambicioz. Botërori i këtij viti shënon gjithashtu një rekord të ri për numrin e trajnerëve të huaj. Nga 48 kombëtaret pjesëmarrëse, plot 26 drejtohen nga trajnerë të huaj, më shumë se gjysma e skuadrave të turneut.

Në Amerikën e Jugut, trajnerët argjentinas dominojnë pankinat e rivalëve. Gustavo Alfaro drejton Paraguain, Sebastián Beccacece është në krye të Ekuadorit, Marcelo Bielsa udhëheq Uruguain, ndërsa Néstor Lorenzo drejton Kolumbinë. Edhe kombëtare të mëdha evropiane kanë zgjedhur trajnerë nga jashtë kufijve të tyre. Thomas Tuchel është në krye të Anglisë, Roberto Martínez drejton Portugalinë, ndërsa Graham Potter është trajner i Suedisë.

Fenomeni është i përhapur edhe në Afrikë dhe Amerikën e Veriut. Mauricio Pochettino drejton Amerikën, ndërsa Jesse Marsch është në krye të Kanada-s. Me kaq shumë trajnerë të huaj në pankina dhe me emra të mëdhenj si Ancelotti dhe Tuchel që synojnë trofeun, Botërori 2026 mund të hyjë në histori jo vetëm për formatin e ri dhe numrin rekord të skuadrave, por edhe për mundësinë e thyerjes së një prej miteve më të vjetra të futbollit: që një kombëtare mund të bëhet kampione bote vetëm me një trajner vendas.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se po krijohet një Lëvizje antisistem, pra kundër Ramës dhe Berishës?