Botërori i dytë, fitojnë italianët nën diktatin fashist (1934)

Nga Skifter Këlliçi

Në pjesën e parë të këtij cikli, nëpërmjet kujtimeve të kolegut tim italian, komentatorit të madh sportiv Nando Martellini dhe shënimeve të mia, u rrëfeva lexuesve disa nga peripecitë që shoqëruan botërorin e parë të futbollit në Uruguai, më 1930. Katër vjet më pas, më 1934, ishte radha e Evropës dhe pikërisht e Italisë që të organizonte botërorin e dytë të futbollit. Arenat e ndeshjeve të këtij botërori u bënë stadiumet e Napolit, Gjenovës, Torinos, Milanos, Triestes, Bolonjës, Firences dhe Romës.

“Ky botëror,” – nisi të më rrëfente Martellini teksa pinim verë “Kallmet” në një nga studiot e Radio “Dimensione Suono” në Romë – “u zhvillua tërësisht nën diktatin fashist. Madje tutori i tij ishte vetë Musolini. Në ngadhënjimin e skuadrës italiane, ose ‘azzurra’, siç kishte filluar të quhej për shkak të ngjyrës së fanellave, ai shihte të paraprirë ëndrrën për përjetësimin e Perandorisë Romake. Një ëndërr që po merrte formë edhe në mendjen e Hitlerit, i cili kishte ardhur në pushtet një vit më parë dhe kishte si lajtmotiv shprehjen ‘Deutschland über alles’ (‘Gjermania mbi të gjitha’).”

Swiss Digital Desktop Reklama

Ky botëror shënoi gjithashtu një ngjarje të madhe në jetën e përditshme të italianëve: transmetimin për herë të parë të ndeshjeve me radio. Idhull i tyre u bë Nikolo Karozio (1910-1984), me të cilin vite më pas do të bëhesha koleg. Ai e nisi karrierën në mikrofon duke komentuar ndeshjen e parë në historinë e EIAR-it (emri i atëhershëm i RAI-t), më 1 janar 1933, Itali-Gjermani (3-1) në Bolonjë.

Swiss Digital Mobile Reklama

How Italy won the 1934 World Cup: A solid defence, the class of Giuseppe  Meazza and help from the officials - The Athletic

Me zërin e tij të fuqishëm dhe terminologjinë e pasur, tërësisht italiane, ai tërhoqi miliona dëgjues. Ndër ta isha edhe unë, një djalosh 13-vjeçar, që ëndërroja të bëhesha si ai.

Kjo terminologji u imponua nga regjimi fashist në të gjitha sferat. Për shembull:

football – calcio,

penalty – rigore,

basketball – pallacanestro,

volleyball – palla a volo.

(Me këtë rast, duhet theksuar se edhe Anton Mazreku krijoi shumë terma në shqip, si: ndeshje, zonë rreptësie, goditje dënimi, vijërojtës, mbrojtës, qendërmbrojtës, gjysmëmbrojtës, qendërsulmues etj.)

Ndërkohë, kujtonim edhe një episod interesant: Uruguai, kampioni në fuqi, refuzoi të merrte pjesë, si hakmarrje për mungesën e italianëve në botërorin e parë. Edhe Anglia mungoi, duke e konsideruar të papërshtatshëm kalendarin.

Në këtë botëror morën pjesë 33 skuadra dhe për herë të parë u zhvilluan eliminatore për të përcaktuar 16 finalistët.

Italia e nisi fuqishëm, duke mundur SHBA-në 7-0. Por më pas hasi vështirësi ndaj Spanjës së portierit legjendar Zamora. Pas një barazimi, u desh një ndeshje shtesë, ku italianët fituan minimalisht.

Edhe ndaj Austrisë, skuadra “azzurra” vuajti shumë, por arriti të fitojë falë një goli të vetëm.

Finalja u zhvillua më 27 maj 1934 kundër Çekosllovakisë. Italianët ishin dominues, por çekët shënuan të parët me anë të Puçit. Vetëm 21 minuta nga fundi, Italia reagoi dhe barazoi me Orsin. Në shtesë, Skiavio shënoi golin vendimtar për fitoren 2-1.

1934 World Cup: Italy wins for Il Duce | CBC Sports

Formacionet:

Italia: Konti, Manxhelio, Alemandi, Ferrari I, Monti, Bertolini, Guaita, Meaca, Skiavio, Ferrari II, Orsi.

Çekosllovakia: Planiçka, Zenicek, Ctiroku, Kostalek, Kambal, Junek, Svoboda, Sobotka, Nejedli, Puç.

Gjyqtar: Eklind (Suedi)

Golashënuesi më i mirë:

Nejedli (Çekosllovaki) – 5 gola

Yjet e turneut:

Meaca, Planiçka, Sindelar, Zamora, Orsi, Kombi

Rezultatet kryesore:

Çerekfinale:

Gjermani – Suedi 2-1

Çekosllovaki – Zvicër 3-2

Austri – Hungari 2-1

Itali – Spanjë 1-0 (ndeshje shtesë)

Gjysmëfinale:

Çekosllovaki – Gjermani 3-1

Itali – Austri 1-0

Për vendin e tretë:

Gjermani – Austri 3-2

Finale:

Itali – Çekosllovaki 2-1

Statistika:

Ndeshje: 17

Gola: 70 (4.2 për ndeshje)

Shikues: 358,000 (mesatarisht 21,000 për ndeshje)

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kë do të votonit si kandidat për kryebashkiak në Tiranë?