Botërori i Klubeve me stadiume bosh, vetëm 97 spektatorë në ndeshjen Ulsan-Mamelodi
Kupa e re e Botës për Klube, e zgjeruar dhe e mbështetur fuqimisht nga FIFA, ka nisur me shumë polemika. Pavarësisht ambicieve për ta kthyer në një turne të rëndësishëm global, atmosfera dhe përfshirja e publikut kanë munguar dukshëm. Pamjet nga tribunat pothuajse bosh, madje edhe në ndeshje me skuadra të njohura, tregojnë një realitet shumë larg pritshmërive.
Rezultati është një klimë e ftohtë, e zbrazët nga pasioni që duhet të karakterizojë një garë ndërkombëtare të këtij niveli. Mungesa e tifozëve ndikon drejtpërdrejt edhe në intensitetin e lojës: futbollistët lëvizin në stadiume gjigante, të mbuluara nga heshtja, ku zërat e trajnerëve dëgjohen si në një palestër bosh. Gjithçka të kujton periudhën e izolimit nga pandemia.
Rasti më i spikatur është ndeshja mes Ulsan Hyundai dhe Mamelodi SundoWns: vetëm 97 spektatorë ishin të pranishëm në fillim të takimit, përpara se të ndodhte një evakuim për shkak të alarmit për tornado.
Loja rifilloi më vonë para vetëm 3.412 tifozëve, në një stadium me kapacitet prej 25.000 vendesh. Atmosfera ngjante më shumë me një skenë post-apokaliptike sesa me një festë futbolli.
Ky episod është vetëm maja e ajsbergut: Kupa e Botës për Klube ka nevojë urgjente të rikthejë përbërësin më të rëndësishëm të futbolli, tifozët. Pa këngët, emocionet e përbashkëta dhe tensionin në tribuna, asnjë turne nuk mund të quhet vërtet i madh. /Koha Jonë/
