Brajan Gruda e ka nisur në mënyrën më të mirë aventurën me kombëtaren A të Gjermanisë. Sulmuesi me origjinë shqiptare ka gjetur menjëherë rrugën e rrjetës, duke ndëshkuar Serbinë në debutimin e tij me fanellën e “Panzerave”.
Gruda realizoi në fillimin e pjesës së dytë, pas një aksioni individual mjaft të bukur. Pas një kontrolli fantastik të topit, futbollisti lëshoi një goditje të fortë me të majtën, duke mposhtur portierin serb dhe duke festuar kështu golin e tij të parë me Gjermaninë.
Një moment i veçantë për 22-vjeçarin, i cili ka zgjedhur të përfaqësojë Gjermaninë, pavarësisht origjinës shqiptare dhe përpjekjeve të mëparshme për ta bindur që të vishte fanellën kuqezi.
Shqipëria është përpjekur disa herë ta bindë talentin me rrënjë shqiptare që të zgjidhte fanellën kuqezi, por përgjigjja e tij ka qenë e qartë: dëshira për të përfaqësuar Gjermaninë.
“Prindërit e mi janë shqiptarë, por zemra ime thotë se dua të luaj për Gjermaninë”, ishte shprehur më herët Gruda në një intervistë për mediat gjermane.