Bradariç prezantohet te Vllaznia: Nuk më intereson e shkuara, kam ardhur për punë!

Vllaznia ka prezantuar sot trajnerin e ri, që do të jetë gjermani me origjinë kroate, Thomas Brdariç.  Strategu gjerman u prezantua nga drejtori sportiv Matko Djarmati, i cili bëri edhe përkthimit e 45-vjeçarit në konferencën për shtyp, ndërsa u prezantuan gjithashtu edhe stafi ndihmës i teknikut.

Kështu ndihmësi i tij i parë do të jetë ish-trajneri i Besëlidhjes Elvis Plori, ndërsa stafi do të kompletohet nga Safet Osja dhe Ideal Lekiqi, me këtë të fundit si trajner i portierëve të Vllaznisë.

“Jam i kënaqur që do të jem pjesë e Vllaznisë. Shpresojmë të arrijmë objektivat që ka klubi për të kapur Kupat e Europës. Kam disa ditë në Shkodër dhe kam parë gjithçka sa i përket klubi, terreneve. Uroj që bashkëpunim të jetë sa më i gjatë dhe i suksesshëm. Iu përgjigja pozitivisht ftesës së një klubi me emër si Vllaznia. Tani duhet t’i futemi punës, pasi skuadra ka nevojë për përforcime.

Do të provoj të ndërtoj një skuadër të suksesshme dhe të ecim përpara. Për çdo gjë nevojitet kohë. Duhet të kemi durim për ato që do të bëjmë këtu. Nuk është koha për llafe të mëdha, por për punë. Ajo që është kryesore, duhet besimi. Do provoj të ndryshoj, do të jetë energji e re për ju gazetarët, stafin që punon me mua. Gjëja kryesore është disiplina dhe besueshmëria reciproke. Me gjithë stafin tim, njerëzit që janë afër klubit, nëse punojnë me të njëjtën mënyrë si unë, jam i sigurt për suksesin në fund.

Do të krijoj harmoni në skuadër. Do të luajmë një futboll me tranzicion të shpejtë. Kam shumë qejf lojtarët që luajnë për ekipin e jo për veten. Do suportoj çdo njeri dhe lojtar në klub, që ka një filozofi pune si unë. Shpresoj të mendojnë të gjithë vetëm pozitivisht. Unë do të jap maksimumin, do transmetoj pozitivitetin dhe entuziazmin tim në klub, edhe te tifozët.

Vllaznia prej 8 vitesh lufton për mbijetesë? E di ku kam ardhur, edhe se çfarë ka ndodhur përpara. Më besoni, nuk më intereson e kaluara. Çdo gjë do të jetë një rrugë e re”, është shprehur trajneri Brdaric në konferencën për shtyp.

SHKARKO APP