Brazili fluturon për në Amerikë, Neymar karikon ekipin: Të gjithë bashkë!
Kombëtarja e Brazilit ka lënë Rio de Janeiron dhe është nisur drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës me objektivin e madh për t’i dhënë fund pritjes 24-vjeçare dhe për të fituar Kupën e Botës për herë të gjashtë në histori.
Nisja e skuadrës gjatë orëve të natës u shoqërua me entuziazëm të madh nga tifozët, të cilët u mblodhën për të përshëndetur futbollistët dhe për t’u dhënë mbështetje para aventurës botërore. Një pjesë e konsiderueshme e vëmendjes ishte e përqendruar te ylli i ekipit, Neymar, i cili u prit me shumë dashuri nga tifozët brazilianë.
Sulmuesi i Santos publikoi në rrjetet sociale një fotografi të realizuar pak para ngritjes së avionit, ku shfaqet i ulur në qendër të grupit të lojtarëve, i shoqëruar me mesazhin: “Të gjithë së bashku”.
Neymar ndau gjithashtu një tjetër imazh simbolik, atë të trofeut të Kupës së Botës, i ekspozuar në muzeun e Konfederatës Braziliane të Futbollit. Një postim që u interpretua si një sinjal i qartë për ambicien e madhe të skuadrës së drejtuar nga Carlo Ancelotti: rikthimin e trofeut më të rëndësishëm të futbollit botëror në Brazil.
Një moment i veçantë u regjistrua edhe në aeroportin Galeão të Rio de Janeiros. Gjatë lëvizjes në pistë, avioni i kombëtares kaloi nën një hark uji të krijuar nga dy mjete zjarrfikëse të aeroportit.
Ky ritual, i njohur si “pagëzimi i avionit”, realizohet zakonisht në raste të veçanta, si inaugurimi i linjave të reja ajrore apo ngjarje madhore sportive, duke simbolizuar urimet për sukses dhe një udhëtim të mbarë.
Tashmë, Brazili i Carlo Ancelottit është gati të nisë rrugëtimin e tij drejt një tjetër sfide historike, me synimin për të rikthyer lavdinë botërore dhe për të ngritur lart trofeun që mungon në vend prej vitit 2002.
KOHA JONË SONDAZH

