Briken Calja i jashtëzakonshëm, medalje ari dhe argjendi në Europianin e peshëngritjes

Shkëlqim i madh për sportin shqiptar në arenën ndërkombëtare, teksa Briken Calja është shpallur kampion Europe në stilin e shtytjes në Kampionatin Europian të shtangës, që po zhvillohet në Batumi.

Shtangisti kuqezi zhvilloi një garë të nivelit të lartë në peshën 79 kg, duke siguruar medaljen e artë në stilin e shtytjes dhe atë të argjendtë në dygarësh. Në stilin e shkëputjes, Calja u rendit në vendin e katërt me 153 kg, të realizuara që në përpjekjen e parë, ndërsa dështoi në dy tentativat për 157 kg.

Në stilin e shtytjes, ai e nisi me një gabim në 185 kg, por arriti ta korrigjojë në provën e dytë. Në tentativën e tretë, Calja ngriti 187 kg, rezultat që i siguroi medaljen e artë, pasi rivalët nuk arritën ta tejkalonin.

Swiss Digital Desktop Reklama

Me një total prej 340 kg në dy-garësh, Calja fitoi medaljen e argjendtë, vetëm 1 kg më pak se fituesi i artë, Serobyan. Një tjetër sukses i rëndësishëm për sportistin shqiptar, që konfirmon vazhdimësinë në nivele të larta.

Swiss Digital Mobile Reklama

Në të njëjtën kategori garoi edhe Erkand Qerimaj, por pa arritur rezultat pozitiv. Ai u rendit i teti në stilin e shkëputjes me 152 kg dhe dështoi në të gjitha provat e stilit të shtytjes, duke mbetur pa rezultat në dygarësh.

Një paraqitje që rikthen në vëmendje potencialin e peshëngritjes shqiptare, falë suksesit të Caljas në këtë kompeticion europian.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kush mendoni se duhet të jetë në emër të PD dhe opozitës kandidat për kryebashkiak në Tiranë?