
Shtëpia e Bruno Fernandes në Cheshire është grabitur nga tre persona të maskuar, ndërsa kapiteni i Manchester United ndodhej në Itali për një ndeshje të Ligës së Kampionëve. Autoritetet britanike kanë nisur hetimet për identifikimin e autorëve.
Një incident shqetësues ka ndodhur në banesën e Bruno Fernandes, e cila vlerësohet rreth 4 milionë paund. Sipas raportimeve të Manchester Evening Neës, grabitja ndodhi të mërkurën, rreth orës 20:30, ndërsa mesfushori portugez ndodhej në Itali me skuadrën e Manchester United.
Alarmi u dha nga një fqinj i futbollistit, i cili njoftoi policinë pasi vuri re tre persona të dyshimtë në oborrin e banesës. Dyshohet se autorët kaluan gardhin pranë një zone të pyllëzuar për të hyrë në pronë, nga ku morën disa sende me vlerë.
Sipas informacioneve të publikuara, tre personat qëndruan më pak se pesë minuta brenda shtëpisë, pavarësisht sistemit të avancuar të sigurisë, i cili përfshin kamera vëzhgimi, alarm dhe portë elektrike. Në momentin e grabitjes, asnjë nga familjarët e futbollistit nuk ndodhej në banesë.
Policia e Cheshire konfirmoi ngjarjen, duke bërë të ditur se autorët nuk u gjetën në vendngjarje kur mbërritën efektivët. Hetuesi David Jarvis deklaroi se hetimet ndodhen në fazat fillestare dhe se autoritetet po punojnë për identifikimin e personave përgjegjës. Ai u bëri thirrje qytetarëve që mund të kenë parë lëvizje të dyshimta në zonë të ndihmojnë me informacione.
