Burokraci e UEFA, De Biasi: Më vjen keq që nuk do të luajnë Aliji e Ajeti
Mbrojtësi Mërgim Mavraj mbetet në pikëpyetje deri në prag të ndeshjes me Armeninë, për shkak dëmtimi, por probleme kishte edhe Debatik Curri, që sipas trajnerit de Biasi është rikuperuar. Teksa ai po planifikonte ndoshta mungesat e vetëm të dy mbrojtësve nga lista me 28 lojtarë që thirri në përballjen me Armeninë, papritur lajmi i keq është se UEFA nuk dha “ok” për dy futbollistë të tjerë, pasi ata kanë luajtur më herët me ekipet të tjera përfaqësuese dhe pas marrjes së nënshtetësisë shqiptare duhet të merrnin edhe konfirmimin zyrtar nga organizimi më i lartë i futbollit kontinental. Arlind Ajeti dhe Naser Aliji janë konfirmuar si mungesa të sigurta. – “Më vjen keq që Ajeti dhe Aliji nuk do jenë pjesë e skuadrës për arsye burokratike. Ende nuk e dimë nëse Mavraj do të jetë ose jo, përgjigjen do e marrim ditën e ndeshjes. Curri është rikuperuar dhe është gati të zërë vendin në formacion. Kjo nuk është një ndeshje që vendos kualifikimin, pasi kjo vjen në vazhdimësi. Kemi fituar ndeshjen e parë, kemi barazuar të dytën dhe ishim pranë barazimit në ndeshjen e tretë. Do të luajmë sfidën e 4ë-t dhe do të përpiqemi ta bëjmë në mënyrën më të mirë të mundshme,” – shprehet Gianni de Biasi.
KOHA JONË SONDAZH

