Bylis fiton në “frymën e fundit” kundër Flamurtarit
Flamurtari dhe Bylis e kanë hapur në mënyrën më spektakolare të mundshme javën e 33-të të Kategorisë Superiore. Ballshiotët arritën të merrnin 3 pikë vetëm në sekondat e fundit, duke marrë një sukses shumë të rëndësishëm 3-2.
Ekipi ballshiot shënoi me Malcin në minutën e 32-të, por nuk vonoi shumë dhe vendasit barazuan me Ardit Hoxhajn për të mbyllur pjesën e parë me rezultatin 1-1.
Pjesa e dytë nisi me një ritëm të lart. Isli Hidi i dha sërish avantazhin miqve për 1-2 në minutën e 63-të, por vendasit u kundërpërgjigjën me Ribajn, me një gol në minutën e 76-të.
Kur mendohej se ballshiotët do të ndaleshin nga vlonjatët erdhi dhe goli i fitores i shënuar në minutën e 7-të shtesë. Gjyqtari akordoi fillimisht 5 minuta shtesë, por më pas ndeshja u zgjatë sërish.
Me këtë fitore ballshiotët çojnë në 5 pikë diferencën nga zona e Play Out-it në renditje, që aktualisht mbahet nga Vllaznia, ndërsa Flamurtari sheh të dalë duarbosh pas një tjetër 90-minutëshi mjaft të mirë në fushë.