Bylis shtang kampionët e Shqipërisë, Vllaznia fiton në Gjirokastër
Bylis i ka dhënë fund serisë së rezultateve pozitive të Partizanit, duke arritur një fitore të madhe 2-1. Skuadra ballshiote e ka bërë edhe më intrigues kampionatin duke u ngjitur në vendin e dytë me 23 pikë, vetëm dy më pak se kampionët e Shqipërisë.
Ndeshja nisi mjaft mirë për Bylis që gjeti shumë shpejt rrugën e rrjetës. Në minutën e 6-të, Edison Ndreca provoi të hidhte një top në zonë, por topi do të devijohej nga Belica dhe më pas do të shkonte në rrjetën e portës së mbrojtur nga Hoxha.
Kundërpërgjigja e të kuqve nuk do të vononte, teksa në minutën e 26-të, Bardhi arrin të shfrytëzojë më së miri një krosim në zonë, duke shënuar me kokë. Ndeshja u bë shumë interesante, me vendasit që ishin më këmbëngulës për të gjetur golin e avantazhit.
Në minutën e 54-të, pas një përgjumje të mbrojtës së ekipit të drejtuar nga Lerda, Guindo është në vendin dhe në kohën e duhur për ta devijuar topin në rrjetën e Hoxhës. Partizani u hodh në sulm në kërkim të golit të barazimit, por Bruno Telushi nuk e mbylli dot ndeshjen, pasi u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë në fundin e kohës së rregullt. Vendimtar në minutën e shtatë shtesë, portieri i vendasve, Isli Hidi, i cili bëri mrekullinë duke pritur një gjuajtje nga shumë afër me kokë të Asanit, për të ruajtur fitoren e skuadrës së tij.
Vllaznia ndërkohë mori një fitore shumë të rëndësishme 2-0 në transfertën ndaj Luftëtarit në Gjirokastër. Golat u shënuan nga Malota dhe Gilman Lika në minutat e fundit të ndeshjes. Me këtë 3 pikësh Vllaznia ngjitet në vendin e katërt, ndërkohë që Luftëtari mbetet në vendin e parafundit. /R.Lika-Koha Jone/