“Camp Nou” do të presë finalen e Champions League 2029, Laporta: Krenari!
Barcelona ka marrë një lajm të madh nga UEFA. Komiteti Ekzekutiv i qeverisë së futbollit europian, i mbledhur në Selanik, ka vendosur që Spotify Camp Nou të jetë arena e finales së Champions League në vitin 2029.
Presidenti i klubit katalanas, Joan Laporta, e ka pritur me entuziazëm këtë vendim, duke e cilësuar si një moment krenarie për klubin dhe tifozët.
“Është një krenari e jashtëzakonshme për Barcelonën dhe për të gjithë tifozët blaugrana”, deklaroi Laporta.
Sipas planit të klubit, punimet në stadiumin e ri pritet të përfundojnë në fillim të vitit 2028, ndërsa mbulesa e impiantit do të vendoset gjatë verës së vitit 2027. Për Barcelonën, organizimi i finales përfaqëson edhe një njohje ndërkombëtare për projektin e ri të “Camp Nou”, i cili synon të jetë ndër stadiumet më moderne në botë.
Kjo do të jetë finalja e tretë e Kupës së Kampionëve/Champions League që do të zhvillohet në stadiumin e Barcelonës. Dy të parat u luajtën në vitet 1989 dhe 1999.
Laporta falënderoi institucionet katalanase dhe federatën spanjolle për mbështetjen e kandidaturës, duke theksuar se finalja e vitit 2029 do të jetë një mundësi e madhe për të promovuar Barcelonën dhe Katalonjën në arenën ndërkombëtare.
KOHA JONË SONDAZH

