Candelaria Rivas Ramos, befasia indigjene e atletikës, fitorja që vjen nga toka, nga zemra dhe nga rrënjët

Nga Albert Vataj

Një histori që nuk vrapon vetëm për kohë, por për dinjitet, identitet dhe forcën e vërtetë që lind nga brenda.
Në një botë ku sporti profesionist është shpesh një spektakël i teknologjisë, sponsorëve, dietave të dizajnuara dhe pajisjeve të sofistikuara, historia e Candelaria Rivas Ramos vjen si një thirrje e kthjellët për të kujtuar thelbin: trupin, tokën dhe shpirtin.
Kjo vajzë nga Chihuahua, Meksikë, pa trajner, pa ekip, pa atlete profesionale, mahniti botën në Canyon Ultra Marathon 2025, duke e kaluar vijën e finishit e para pas 63 kilometrave të një gare brutale, përplot terren të pashkelur, pjerrësi, nxehtësi dhe lodhje ekstreme.
Candelaria nuk ishte aty për famë. As për lavdi. Ajo nuk kishte me vete kamera, intervista paraprake apo ndonjë bujë në rrjete sociale.
Ajo erdhi vetëm, me një fund të gjatë që rridhte si era, me sandalet huaraches, që janë të njëjtat që brezat e popullit Tarahumara kanë veshur për shekuj.
Nuk ishte spektakël, ishte vërtetësi.
Për 7 orë e 34 minuta, ajo nuk vrapoi thjesht në një garë, ajo vrapoi kundër gjithë asaj që e përjashton, mungesës së përkrahjes, mungesës së përfaqësimit, mungesës së zërit.
Ajo vrapoi për ata që nuk kanë tribunë, por kanë histori.
Për ata që nuk kanë financime, por kanë trashëgimi.
Për ata që nuk janë në posterat e garave, por janë në rrënjët e vetë forcës së njeriut.
Fitore të tilla nuk maten vetëm me kohën e kronometrit.
Ato maten me jehonën që lënë në ndërgjegjen kolektive.
Ato janë deklarata për botën, se forca nuk buron nga privilegji, por nga përkatësia, nga dinjiteti, nga qëndresa.
Fitorja e Candelarias është një rikujtim i asaj që shpesh harrojmë: Që edhe në mungesë të çdo gjëje që moderniteti e quan “domosdoshmëri”, njeriu mund të ngjitet në maja.
Jo përmes pajisjeve, por përmes shpirtit.
Jo përmes zhurmës, por përmes heshtjes së një rruge që fillon në zemër dhe mbaron në qiell.
Candelaria përfaqëson më shumë se veten.
Ajo është fytyra e shumë grave indigjene, që çdo ditë përballen me një botë që nuk i sheh, nuk i dëgjon dhe shpesh nuk i njeh.
Por ajo e bëri të pamundurën të dukshme.
E bëri vrapin të jetë manifest, dhe mbërritjen në finish, një mesazh universal:
“Unë jam këtu. Pa përkrahje. Pa privilegje. Por me rrënjët e mia. Me forcën e tokës time. Me qëndresën e grave që nuk janë mësuar të dorëzohen.”
Historia e saj është më shumë se një lajm sportiv.
Është një thirrje për të rishikuar mënyrën si i shohim garat, suksesin, dhe më së shumti, njerëzit.
Është një ftesë për të vlerësuar kulturat indigjene jo si folklor, por si pasuri njerëzore të gjalla, të plota, që kanë diçka për t’i dhënë botës.
Është dëshmi se vrapi i jetës mund të nisë nga vende të largëta, pa zhurmë, pa pasuri, por të mbërrijë në zemrat tona me një fuqi që nuk matet, fuqinë për të na zgjuar ndërgjegjen.
Candelaria Rivas Ramos nuk është vetëm fituese, ajo është simbol.
Simbol i forcës që buron nga vetja.
Nga rrënjët.
Nga toka.
Nga një botë që ende ka nevojë të dëgjojë rrëfime si e saj, për të kuptuar se vërtetësia është ende një forcë që mund të fitojë.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?