Cannavaro nga Kina: Ju tregoj si e mposhtën koronavirus këtu
Fabio Cannavaro ka treguar për jetën në Kinë, në kohën e koronavirusit. Trajneri i Guangzhou Evergrande dha një intervistë “Mundo Deportivo”, ku zbuloi mënyrën se si ata vepruan dhe ende po përballen me virusin vdekjeprurës:
“Ne duhet të qëndrojmë në shtëpi. Policia mund të vijë në çdo kohë për të matur temperaturën tuaj dhe, mbi të gjitha, për të verifikuar se jeni në shtëpi. Përndryshe, ata do t’ju dënojnë, menjëherë. Kur të kalojmë periudhën e karantinës, ata do të kryejnë analiza të reja dhe do të sigurojnë njëlloj “pasaporte” mjekësore të krejt popullatës. Kinezët kanë arritur ta mundin koronavirus këtu dhe nuk duan të infektohen përsëri.
Tani situata është pothuajse normale. Ju mund të shihni njerëz në tarraca pallatesh, nëpër restorante, pa maska. Një muaj më parë nuk shikoje asgjë përreth. Një ditë, duke shkuar në qendrën e trajnimit, nuk takova një person të vetëm, vetëm policia dhe ambulancat. Në Kinë e mposhtën pandeminë, sepse ndoqën udhëzimet e autoriteteve, i bënë të gjitha së bashku. Të gjithë qëndruan në shtëpi. Kjo është e vetmja gjë për të bërë”, deklaroi Cannavaro.