Capello përlotet për Franco Baresin: Ai ishte lojtari që çdo trajner do të donte ta kishte!

Fabio Capello e ka përjetuar me shumë emocion lajmin për ndarjen nga jeta të Franco Baresi. Në një intervistë për Sky Sport Italia, ish-trajneri i Milanit mezi ka mbajtur emocionet teksa ka kujtuar kapitenin legjendar kuqezi.

“E kam të vështirë edhe të flas”, tha Capello, duke kujtuar marrëdhënien e veçantë me Baresin, fillimisht si lojtar dhe më pas si trajner i tij te Milani.

“Meriton një nderim të madh. E pashë të debutonte kur unë isha ende futbollist, më pas pata fatin ta drejtoja si trajner. Ishte një lojtar i jashtëzakonshëm”, u shpreh Capello.

Swiss Digital Desktop Reklama

Duke folur për mesazhin e Milanit në nderim të legjendës së klubit, Capello theksoi se Baresi ishte një figurë që meritonte respekt maksimal.

Swiss Digital Mobile Reklama

“Një lojtar kaq i madh dhe i rëndësishëm nuk mund të kujtohet ndryshe veçse në mënyrën më të bukur. Milano duhet ta përqafojë dhe ta falënderojë për gjithçka që i dha Milanit dhe Italisë: seriozitetin, përkushtimin dhe dashurinë për fanellën. Ishte një shembull për të gjithë”.

Sipas Capellos, ajo që e bënte Baresin unik nuk ishte vetëm cilësia teknike, por edhe karakteri i tij.

“Ishte një njeri i ndershëm dhe modest, virtyte që janë të vështira për t’u gjetur te një person me një popullaritet të tillë. Ishte një nga ata lojtarë që çdo trajner do të dëshironte të kishte, jo vetëm për aftësitë, por për forcën që u transmetonte shokëve të skuadrës”.

Capello kujtoi edhe momentin kur Baresi mori shiritin e kapitenit të Milanit në moshën vetëm 22-vjeçare, duke e trashëguar atë nga legjenda Gianni Rivera.

“Ishte një moment historik. Ai e mbajti dhe e nderoi atë shirit për shumë vite, duke bërë gjithçka që Milani të arrinte rezultatet që arriti. Për lojtarët e rinj dhe për të huajt që vinin në klub, ai ishte menjëherë një pikë referimi”.

Duke folur për rolin e Baresit në Milanin e tij, Capello e cilësoi atë si trurin e skuadrës.

“Ai ishte dirigjenti i mbrojtjes. Arrinte të udhëzonte mbrojtësit, mesfushorët, ishte regjisori i vërtetë i ekipit. Ai ka bërë të lumtur tifozët, por mbi të gjitha ka bërë edhe punën time më të lehtë. Të kesh një lojtar me atë forcë dhe ekuilibër ishte diçka unike”.

Ish-trajneri italian theksoi edhe aftësinë e Baresit për t’u përshtatur me ndryshimet taktike.

“Sacchi i kishte mësuar një mënyrë të caktuar mbrojtjeje, ndërsa kur erdha unë ndryshuam disa lëvizje. Ai u përshtat menjëherë. Për të ishte e rëndësishme të mos mbetej i lidhur me idetë e vjetra, por të ndryshonte sipas kërkesave të trajnerit”.

Capello kujtoi edhe modestinë e jashtëzakonshme të kapitenit kuqezi.

“Kjo ishte gjëja më e bukur tek ai. Pavarësisht famës së madhe, ai nuk e tregonte kurrë veten. Nuk e përdorte popullaritetin e tij për t’u vendosur mbi të tjerët. I jepte qetësi gjithë grupit dhe kishte gjithmonë dëshirën për t’u përmirësuar”.

Duke folur për aventurën e Baresit me kombëtaren italiane, Capello solli në kujtesë finalen e Botërorit 1994 kundër Brazilit, ku mbrojtësi luajti vetëm 20 ditë pas një operacioni në menisk.

“Edhe me fanellën e Italisë kishte të njëjtën dëshirë dhe vendosmëri. Luajti një finale të Botërorit pasi ishte operuar vetëm pak ditë më parë. Për të dhimbja nuk ekzistonte, rëndësi kishte të nderonte fanellën dhe të ishte aty për ekipin”.

Capello nuk harroi as momentin e dhimbshëm të penalltisë së humbur nga Baresi në finalen e vitit 1994.

“Ajo penallti shkoi lart dhe lotët e tij treguan dashurinë e madhe që kishte për kombëtaren”.

Në fund, Capello dha edhe përkufizimin e tij për një nga mbrojtësit më të mëdhenj të historisë së futbollit:

“Baresi ishte një njeri që stërvitej gjithmonë në maksimum për të arritur objektivat. Ai na mësoi kulturën e punës dhe nevojën për t’u përmirësuar çdo ditë. Sot humbasim një futbollist të madh, por mbi të gjitha një njeri të madh”.

 

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Nëse shkohet në zgjedhje cilës parti ia jepnit voten?