Capello skeptik për Amorim te Milani: Një hap në boshllëk për të dyja palët
Emërimi i Ruben Amorim në krye të Milanit vazhdon të ngjallë debat në futbollin italian. Një nga zërat më kritikë ka qenë ai i legjendës së trajningut, Fabio Capello, i cili ka shprehur dyshimet e tij mbi zgjedhjen e klubit kuqezi.
Në një intervistë për mediat italiane, ish-trajneri i Milanit, Real Madrid dhe kombëtares së Anglisë, e cilësoi ardhjen e Amorim si një “hap të dyfishtë në boshllëk”, si për trajnerin portugez, ashtu edhe për vetë klubin.
“Kam dëgjuar shumë emra të ndryshëm gjatë kërkimeve të Milanit për trajnerin e ri. Të gjithë kishin karakteristika të ndryshme për nga kombësia, stili i lojës dhe filozofia. Kjo më bën të mendoj se te Milani ka pasur konfuzion në procesin e zgjedhjes.
Amorim më kishte bindur me atë që pashë në Lisbonë, por duhet të vlerësohet edhe ajo që bëri në Manchester. Kam përshtypjen se disa gjëra janë lënë në dorë të rastësisë”, shtoi ai.
Capello u ndal edhe te sfidat që e presin trajnerin portugez në Itali, duke nënvizuar se Milani është një klub me histori dhe traditë të jashtëzakonshme, elemente që sipas tij duhet të kuptohen dhe respektohen nga çdo trajner.
“Duhet t’i shpjegohet qartë se Milani është një klub me histori që duhet nderuar. Te Manchester United ai nuk arriti të hynte në mendjen e lojtarëve dhe të krijonte lidhjen e nevojshme me grupin. Te Milani duhet ta bëjë këtë menjëherë.
Është një hap në boshllëk për të dy. Milani po i beson një trajneri që nuk e njeh kampionatin italian, ndërsa Amorim vjen pas një eksperience që nuk rezultoi e suksesshme. Mbetet për t’u parë nëse kjo zgjedhje do të japë rezultatet e pritshme”, përfundoi 79-vjeçari.
KOHA JONË SONDAZH

