Capello zbulon 3 arsyet se përse dështojnë ekipet italiane në Europë
Ish-trajneri i njohur italian Fabio Capello ka analizuar paraqitjet zhgënjyese të klubeve italiane në Europë, duke renditur tri faktorë kryesorë: forcën fizike, shpejtësinë në qarkullimin e topit dhe mungesën e vazhdimësisë në lojë.
Sipas tij, rezultatet e fundit tregojnë qartë hendekun me elitën kontinentale, duke iu referuar humbjes së Inter ndaj Bodø/Glimt, disfatës së Juventus kundër Galatasaray dhe humbjes së Atalanta në fushën e Borussia Dortmund.
Në një intervistë për La Gazzetta dello Sport, Capello theksoi se pësimi i dhjetë golave në tri ndeshje tregon se edhe identiteti tradicional mbrojtës i futbollit italian po zbehet.
“Në momentin që niveli rritet, skuadrat italiane vuajnë. Nëse në tri ndeshje pëson 10 gola, do të thotë se mungon edhe aftësia tradicionale italiane për të mbrojtur. Shifrat flasin vetë, duhet kuptuar pse ndodh kjo. Niveli i klubeve reflektohet te kombëtarja dhe anasjelltas. Jam i bindur që Italia do të shkojë në Botëror, por na mungojnë kampionët e vërtetë”, deklaroi ai për “Gazzetta dello Sport”.
Capello kritikoi edhe intensitetin në Serie A, duke nënvizuar se lojtarët shpesh kërkojnë faulle, ndërsa ritmi i kundërshtarëve europianë mbetet dukshëm më i lartë.
KOHA JONË SONDAZH

