Carlo Ancelotti, pasardhësi i Pep Guardiolës te Bayern
Sipas shtypit gjerman ka pasur një bisedë konkrete mes drejtuesve të Bayern dhe italianit
Të drejtosh ekipet më të mira në pesë kampionatet elitare të Europës nuk është diçka e zakonshme, por Carlo Ancelotti nuk është një trajner si të gjithë të tjerët. Pas suksesit me Milan në Itali, me Chelsea në Angli, me Parisin në Francë dhe me Realin në Spanjë, italiani mund ta mbyllë ciklin, duke u ulur në stolin e Bayern Munich, skuadra më e titulluar në Gjermani dhe aktualisht një nga klubet më solide në botë. Mund të jetë një sfidë shumë stimuluese, teksa kanë nisur bisedat e para, duke qenë se trajneri aktual, Pep Guardiola, nuk po kthen përgjigje për të ardhmen. Nëse spanjolli do të zgjedhë të largohet nga Bavaria atëherë zëvendësuesi e tij me shumë mundësi do të jetë Carleto.
Sipas asaj që bën të ditur shtypi gjerman, bisedimet mes Ancelotti dhe Bayern janë konkrete. Ish-trajneri i Milan është kërkuar nga gjermanët edhe në vitin 2013, kur mbylli aventurën me Paris SG. Por në fund mbërriti Guardiola, i cili ka bërë një punë shumë të mirë në kampionatin gjerman, ku ka fituar dy tituj kampion radhazi dhe sivjet i ka fituar të nëntë ndeshjet e luajtura. Pep nuk ka pasur të njëjtin sukses në Champions League, ku është eliminuar në gjysmëfinale. Në vitin 2014, Bayern u eliminua pikërisht Reali i Ancelottit, ndërsa në sezonin e kaluar, bavarezët u nxorën jashtë nga Barcelona.
Por Bayern Munich, përpara se të formalizojë ofertën zyrtare për Ancelotti, po pret ende përgjigjen e Pep Guardiola. Deri pak muaj më parë, bavarezët ishin të sigurt se brenda muajit tetor do të sqaronin të ardhmen e trajnerit spanjoll, por dje drejtuesi Karl-Hainz Rummenigge, deklaroi: “Mendoj se Guardiola e di mirë që nuk mund ta presim pafundësisht. Nuk mund të na lërë pezull dhe të vendos të ardhmen e tij në muajin maj. Do të ishte shumë vonë. Mendoj se para fundit të vitit 2015 do të përcaktohet e ardhmja e trajnerit.” Kontrata e Guardiola me Bayern skadon në qershor 2016 dhe sipas gazetës “Bild”, Bayern po përpiqet ta bind të rinovojë, por spanjolli është i joshur nga ofertat angleze.
Janë të disa arsyet përse Pep Guardiola mund të largohet nga Bayern, në fund të sezonit, duke nisur nga kritikat e vazhdueshme të tifozëve, që e akuzojnë se ka larguar shpirtin e skuadrës bavarezët, ku përfshihet edhe shitja e Bastian Schweinsteiger te Manchester United. Arsyeja e dytë ka të bëj me vetë spanjollin që ka nevojë për stimuj të rinj. Me Bayern ka fituar gjithçka, me përjashtim të Champions League. Në fund, në koleksionin e trofeve të Guardiolës mungon suksesi në Angli. Te Manchester City do të kishte drejtues dy nga miqtë e tij më të mirë në botën e futbollit Ferran Soriano dhe Txiki Begiristain. Kësisoj, me kalimin e ditëve dhe muajve shtohen mundësitë që Carlo Ancelotti të bëhet trajneri i ri i Bayern.
KOHA JONË SONDAZH

