Champions/ Bayerni kualifikim dramatik ndaj Real Madridit, Arsenali shkon me vuajtje në gjysmëfinale
Real Madrid i jep lamtumirën UEFA Champions League, pasi u mposht me rezultatin 4-3 nga Bayern Munich në ndeshjen e kthimit të çerekfinaleve, të zhvilluar në Allianz Arena. Edhe sfida e parë kishte përfunduar në favor të bavarezëve me rezultatin 2-1, duke vulosur eliminimin e madrilenëve.
Takimi nisi në mënyrë spektakolare për spanjollët, të cilët kaluan në avantazh që në sekondat e para. Një gabim në pasim nga Manuel Neuer u shfrytëzua nga Arda Güler, i cili realizoi nga distanca për 0-1. Reagimi i vendasve ishte i menjëhershëm. Në minutën e 6-të, pas një goditjeje këndi të ekzekutuar nga Joshua Kimmich, ishte Aleksandar Pavlović që barazoi me kokë.
Arda Güler u rikthye sërish protagonist në minutën e 29-të, duke realizuar një gol të bukur nga goditja e dënimit për 1-2. Megjithatë, në minutën e 38-të, Harry Kane barazoi shifrat, pasi u shërbye nga Dayot Upamecano. Pak para përfundimit të pjesës së parë, në minutën e 42-të, madrilenët rikthyen epërsinë. Vinícius Júnior asistoi për Kylian Mbappé, i cili dërgoi topin në rrjetë mes këmbëve të portierit për rezultatin 2-3.
Drama vazhdoi edhe në minutat e fundit të takimit. Eduardo Camavinga u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 86-të, duke lënë Real Madrid me 10 lojtarë. Vetëm dy minuta më pas, në të 88-ën, Luis Díaz barazoi shifrat në 3-3 me një goditje të fuqishme nga jashtë zone. Kur gjithçka dukej se po shkonte drejt shtesave, në minutën e 90+4, Michael Olise shënoi golin vendimtar për 4-3, duke i dhënë fitoren dhe kualifikimin bavarezëve.
Arsenal do të përballet me Atlético Madrid në gjysmëfinalet e UEFA Champions League. Ky është verdikti që vjen nga ndeshja e kthimit e çerekfinaleve ndaj Sporting, ku londinezët barazuan 0-0 në Emirates Stadium përballë portugezëve. Skuadra e drejtuar nga Mikel Arteta siguroi kalimin në tur falë fitores 1-0 në ndeshjen e parë në Lisbonë, të vendosur nga goli i Kai Havertz.
KOHA JONË SONDAZH

