Champions/ City mund në 45 minutat e para Realin, Juvja po ngec ndaj Pafos
Pjesët e para të takimeve të sotme në Champions League kanë dhuruar gola të shumtë.
Në “Santiago Bernabeu”, Manchester City ka zbritur në dhomat e zhveshjes me avantazh 1-2 ndaj Real Madridit. Goli i parë i mbrëmjes për vendasit u firmos nga Rodrygo në minutën e 28-të, pas një aksioni të shpejtë të orkestruar nga Jude Bellingham. City reagoi shpejt: fillimisht barazoi me Nico O’Reilly, i cili shfrytëzoi një pritje të pasigurt të Courtois pas goditjes me kokë të Gvardiol. Më pas, në minutën e 43-të, Erling Haaland e përmbysi sfidën nga pika e bardhë e penalltisë, pasi fitoi vetë duelin me Rudiger brenda zonës.
Ndërkohë në Belgjikë, Arsenal ka marrë kontrollin ndaj Club Brugge, duke kryesuar 0-1 falë një përleshjeje individuale të shkëlqyer të Noni Madueke. Sulmuesi anglez dribloi dy kundërshtarë dhe goditi fort nga distanca për të zhbllokuar rezultatin.
Leverkusen po udhëheq 1-0 ndaj Newcastle në “BayArena”, ku një devijim i pafat i Bruno Guimarães pas një goditjeje këndi i dha epërsinë kampionëve të Gjermanisë.
Në “Signal Iduna Park”, Dortmund dhe Bodo/Glimt po zhvillojnë një sfidë të hapur, duke shkuar në pushim me shifrat 1-1. Brandt kaloi verdhezinjtë në epërsi, ndërsa Aleesami vendosi baraspeshën pak para fundit të pjesës së parë.
Benfica ka avantazh minimal 1-0 kundër Napolit, falë realizimit të Richard Rios, ndërsa dy ndeshje të tjera — Bilbao-PSG dhe Juventus-Pafos — nuk kanë prodhuar ende gola.
KOHA JONË SONDAZH

