Champions, Dinamo Zagreb “thyen” Shkëmbin dhe Skënderbeun në Elbasan
Skënderbeu e humbi sot ndeshjen e parë “Play-off” të Champions League, 1-2 me Dinamon e Zagrebit, duke mos ruajtur avantazhin e golit të shënuar në pjesën e parë, dhe zvenit shanset e një kualifikimi të mundshëm në fazën e grupeve të këtij kompeticioni. Megjithatë, kampionët e SHqipërisë edhe në rast eliminimi suksesin e kanë të garantuar pasi do të kalojnë në fazën e grupeve të Europa League. Në “Elbasan Arena” ndeshjen e parë “Play-off” e fitoi eksperienca kroate në këtë kompeticion dhe Dinamo Zagreb është tashmë më afër fazës së grupeve të Champions, teksa skuadra kualifikuese do të përcaktohet mesjavën e ardhshme.
Ndeshja
Dinamo e Zagrebit në pjesën e parë e nisi më mirë lojën, ndërsa skuadra e Skënderbeut preferoi kund sulmin. Në 36’ pas një aksioni të shpejtë të Skënderbeut me Radas që lë mbrojtjen dhe del në ndihmë të sulmit, mbrojtësi kombinon me Salihin dhe ky i fundit i afrohet zonës, por pengohet dhe ka faull. Pikërisht nga ky aksion vjen goli. Kapiteni Bledi Shkëmbi me një goditje perfekte nga jashtë zone e dërgon topin në rrjetë dhe ngre në peshë stadiumin e Elbasanit. Pjesa e parë mbyllet me avantazhin minimal të Skënderbeut që e nis pjesën e dytë me ritëm për të gjetur golin e sigurisë. Hamdi Salihi ka rastin më të mirë, me fillimin e kësaj pjese loje, por shpërndoron një rast ideal. Miqtë rrisin presionin dhe kërcënojnë disa herë portën e Shehit. Nuk vonon shumë dhe në 66’, Dinamo e Zagrebit shënon golin e barazimit me Soudani. Kombinime të bukura të kroatëve në zonë dhe pasimi i fundit nxjerr krejtësisht të lirë Souidanin, i cili i vetëm përballë portës e shtyn topin drejt rrjetës. Skënderbeu kërkon golin e fitores në minutat e mbetura, por kroatët edhe nga eksperienca janë më të rrezikshëm në daljet e tyre, teksa dinë të mbrohen mirë. Dhe pas disa rasteve në fund vjen edhe goli i fitores për miqtë.
Shanset
Eksperienca e vetme e Dinamos së Zagrebit me një kundërshtar shqiptar është ajo e Tiranës në sezonin 1996-1997 duke i fituar të dy përballjet me një rezultat në total, 10-2. Kjo ndeshje ishte për turin paraeliminator të Kupës UEFA. Dinamo, në këtë vit, drejtohej nga trajneri Oto Bariç, i cili më vonë u bë trajner i Kombëtares shqiptare. Dinamo e Zagrebit ka arritur në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve në sezonin 2012-’13, por në sezonin 2013-’14 u eliminua në raundin “play-off” nga Austria e Vjenës. Ajo konsiderohej favorite edhe në përballjet “Play-off” me Skënderbeun për të vijuar më tej. Skënderbeu ndodhet për herë të parë në raundin “play-off” të Champions-it, duke hyrë në historinë e futbollit të klubeve shqiptare, pasi bëhen klubi i parë shqiptar duke siguruar një fazë kaq të madhe në veprimtaritë europiane. Por para ndeshjeve me Dinamon e Zagrebit, Skënderbeu është i pamposhtur në shtatë ndeshje europiane të luajtura në shtëpi, 6 fitore dhe 1 barazim. Nga ana tjetër, DDinamo nuk është munduar në asnjë nga katër ndeshjet eliminatore të Champions-it në këtë sezon, 1 fitore dhe 3 barazime. Pas ndeshjes në “Elbasan Arena”, do të jenë 90 minutat e fundit në Zagreb që do të përcaktojnë edhe ekipin që do të kalojë më tej, edhe pse me fitoren e parë kroatët janë shumë më afër në fazën e grupeve të Champions League. Skuadra që do të eliminohet do të luajë në fazën e grupeve të Europa League.
Skënderbeu-Dinamo Zagreb 1-2
Shënues: Shkëmbi 37’/Soudani 66′, Pivariç 90+3′
Skënderbeu:Shehi, Vangjeli (Ribeiro 87’), Radas, Jashanica, Eskardinja, Lilaj, Shkembi, Nimaga, Berisha (Abazi 90’), Latifi (Progni 79’), Salihi; Trajner Mirel Josa
Dinamo Zagreb:Eduardo, Sigali, Travel, Pinto, Pivariç, Maçado (Çoriç 61’), Soudani (Fernandez 78’), Santos, Hodzic, Rog (Antoliç 69’), Pjaca; Trajner: Zoran Mamiç
Gjyqtar: Sergei Karasev (Rusi)
Champions League – Play-off
Të Martën
Astana-Apoel N. 1-0
BATE B.-Partizan B. 1-0
Lazio-B. Leverkusen 1-0
Manchester U.- Club B. 3-1
Sporting-CSKA M. 2-1
Sot
Basel-Maccabi Tel Aviv 2-2
Celtic-Malmo 3-2
Rapid V.Shakhtor D. 0-1
Skënderbeu-Dinamo Z. 1-2
Valencia-Monaco 3-1
Faza e grupeve
Kualifikimi i mundshëm, “thesar” për Skënderbeun
Kampionët e Shqipërisë, para ndeshjes “Play-off” të Champions me Dinamo Zagreb, kanë arkëtuar deri tani 700 mijë euro; 300 mijë nga pjesëmarrja në turin e dytë eliminator dhe 400 mijë të tjera nga ajo në turin e tretë, por ndërkohë, faza “play-off” do t’i bëjë edhe më të pasur. Në rastin më të keq, por me shpresën që do ndodhë krejt e kundërta, Skënderbeu do të arkë tojë 3 milionë euro, nëse eliminohet nga Liga e Kampioneve, duke e dërguar shifrën e përfitimit në 3.7 milionë. Por, këtyre “numrave” do t’u shtohen edhe 2.4 milionë euro të tjera, që u dhuron UEFA skuadrave të kualifikuara për në fazën e grupeve të Ligës së Europës, duke e dërguar përfitimin total në 6.1 milionë euro. Por nëse Skënderbeu mposht kampionët kroatë? Përveç 700 mijë eurove të deritanishme, bardhekuqtë, në rast kualifikimi, do të arkëtonin 2 milionë euro për suksesin në fazën “play off”, plus 12 milionë euro të tjera për pjesëmarrjen në fazën e grupeve, për një total prej 14.7 milionë eurosh, pa llogaritur të drejtën televizive, të ardhurat nga biletat dhe imazhin e klubit. E thënë ndryshe, suksesi shpërblehet me para.
KOHA JONË SONDAZH

