Champions League/ Asllani luan 90 minuta, Inter mposhtet nga Bayern. Dështim total i Atletico Madrid
Champions League zhvilloi këtë mbrëmje disa nga ndeshjet e fundit në grupe.
Kristjan Asllani debutoi si titullar në Champions League, në ndeshjen që Interi humbi 2-0 në transfertë ndaj Bayern Munchen. Mesfushori shqiptar luajti 90 minuta të plota në “Allianz Arena”, në një ndeshje pa shumë histori, që u zgjidh nga golat e Pavard (32’) dhe Choupo-Moting (72’).
Bavarezët e mbyllin grupin në vendin e parë, me pikë të plota, ndërsa Interi në vendin e dytë, me 10 pikë. Në ndeshjen tjetër të këtij grupi, Barcelona fitoi 4-2 ndaj Viktoria Plzen.
Në grupin D ekipet e kualifikuara për më tej janë Tottenham dhe Eintracht Frankfurt, pas fitoreve përkatëse 2-1 respektivisht ndaj Marseille dhe Sporting.
Në supersfidën e grupit A, Liverpool mposhti 2-0 Napolin, me golat e Salah dhe Darwin Nunez në fundin e ndeshjes. Edhe pse me pikë të barabarta (15), Napoli kalon si e para e grupit për shkak të golaverazhit, ndërsa Liverpool do të kënaqet me vendin e dytë.
Atletico Madrid ka humbur edhe ndeshjen e fundit në grup të Champions League, duke u renditur në vendin e fundit e duke mos arritur dot as kualifikimin për Europa League.
Skuadra e drejtuar nga Diego Simeone u mposht 2-1 në transfertë nga Porto, që kualifikohet si e para e grupit, ndërsa Bayer Levekusen, falë pikës së marrë përballë Club Brugge (0-0), ngjitet në vendin e tretë falë epërsisë në sfidat e drejtpërdrejta me “Los Colchoneros”.
Taremi (5’) dhe Estaquio (24’) ishin autorët e golave për portugezët, ndërsa për ekipin spanjoll shënoi Savic, në minutën e 95.
Ndeshjet
Bayern Munich 2–0 Inter
Plzen 2-4 Barcelona
Liverpool 2-0 Napoli
Marseille 1-2 Tottenham
Sporting 1-2 Frankfurt
Rangers 1-3 Ajax