Champions League/ Barcelona përballje spektakolare me PSG, Juvja sfidon Villarealin
Sonte, Champions League rikthehet me një seri përballjesh spektakolare që premtojnë emocione të forta dhe gola. Në orën 21:00, disa nga skuadra e mëdha të Europës zbresin në fushë për të kërkuar pikë të arta në rrugën drejt fazës tjetër të kompeticionit më prestigjioz të klubeve.
Në “Camp Nou” do të luhet një nga sfidat më të shumëpritura, aty ku Barcelona pret Paris Saint-Germain. Një duel që fare mirë mund të cilësohet si një finale e parakohshme, ku mungesat nga të dyja krahët do të jenë të shumta, por spektakli gjithsesi duket se është i garantuar.
Në Londër, Arsenali pret Olympiakosin, një kundërshtar që në të kaluarën i ka shkaktuar surpriza të hidhura. “Topçinjtë” janë favoritë, por ekipi grek vjen pa presion dhe me shpresën për të marrë rezultat pozitiv.
Në “Signal Iduna Park”, Borussia Dortmund pret Athletic Bilbaon. Atmosfera e zjarrtë e tifozëve verdhezi do të jetë një shtysë e madhe për gjermanët, por baskët kanë treguar shpesh se dinë të surprizojnë. Kampionët në fuqi të Europës, Manchester City, udhëtojnë drejt Monacos. Pep Guardiola rikuperon Rodrin dhe Cherkin, ndërsa synon një tjetër fitore për të blinduar kreun e grupit.
Në “Diego Armando Maradona”, Napoli do të ketë përballë Sporting Lisbonën, një duel mes dy skuadrave që kërkojnë dominim në grupin e tyre. Në “Estadio de la Cerámica”, Juventusi përballet me Villarrealin. Bardhezinjtë e Tudor janë në kërkim të rikthimit të madh në Europë, por spanjollët njihen si skuadër që e komplikojnë çdo kundërshtar.

KOHA JONË SONDAZH

