Champions League/ City kërkon përmbysjen e (pa) mundur ndaj Realit, Chelsea sfidon PSG
Sonte do të mësohen katër skuadrat e para që sigurojnë një vend në çerekfinalet e UEFA Champions League, me ndeshjet e kthimit të fazës së 1/8-ve që premtojnë emocione dhe rivalitet të fortë.
Sfida që tërheq vëmendjen kryesore është ajo mes Manchester City dhe Real Madrid. Madrilenët kanë hedhur një hap të madh drejt kualifikimit pas fitores bindëse 3-0 në ndeshjen e parë, por anglezët besojnë ende te një përmbysje e bujshme, të mbështetur edhe nga publiku vendas.
Një tjetër duel i zjarrtë pritet në Londër, ku Chelsea përballet me Paris Saint-Germain. Francezët vijnë me avantazhin e qartë 5-2 nga takimi i parë, ndërsa vendasit do të tentojnë një rikthim të vështirë, por jo të pamundur.
Po aq interesant është edhe përballja mes Arsenal dhe Bayer Leverkusen. Takimi i parë në Gjermani përfundoi 1-1, me londinezët që barazuan në minutat e fundit falë një penalltie të diskutueshme, duke e lënë gjithçka të hapur për ndeshjen e kthimit.
Në sfidën tjetër, Sporting pret Bodø/Glimt, me norvegjezët që surprizuan në takimin e parë duke fituar 3-0 dhe janë shumë pranë një kualifikimi historik. Katër biletat e para për çerekfinale do të ndahen sonte, në një mbrëmje që pritet të dhurojë spektakël dhe, ndoshta, ndonjë përmbysje të madhe.

KOHA JONË SONDAZH

