Champions League/ Reali, PSG dhe Arsenali kualifikohen pa probleme, eliminohet City
Pas kualifikimit të Sporting Lisbon, tre skuadra të tjera siguruan biletën për në çerekfinalet e UEFA Champions League: Arsenal, Paris Saint-Germain dhe Real Madrid, duke konfirmuar formën e tyre të shkëlqyer në fazën eliminatore.
Në Londër, Arsenal bëri detyrën përballë Bayer Leverkusen, duke fituar 2-0 në “Emirates” dhe duke vulosur kualifikimin pas barazimit 1-1 në ndeshjen e parë. Protagonist në pjesën e parë ishte Eberechi Eze, i cili në minutën e 36-të zhbllokoi rezultatin me një goditje të fortë nga distanca. Në pjesën e dytë, mesfushori Declan Rice dyfishoi shifrat me një supergol, duke mbyllur llogaritë dhe duke i dhënë londinezëve një kualifikim të merituar.
Dominim i pastër edhe nga Paris Saint-Germain, që pasi kishte fituar 5-2 në ndeshjen e parë, triumfoi 0-3 në transfertë ndaj Chelsea në “Stamford Bridge”. Francezët e nisën vrullshëm takimin, me Khvicha Kvaratskhelia që shënoi që në minutën e 6-të. Vetëm pak minuta më vonë, Bradley Barcola dyfishoi rezultatin pas një kundërsulmi të shpejtë. Në pjesën e dytë, i sapofuturi Senny Mayulu vulosi shifrat në 0-3.
Ndërkohë, në një tjetër sfidë të fortë, Real Madrid fitoi 1-2 në transfertë ndaj Manchester City, duke kaluar më tej pas suksesit të thellë 0-3 në ndeshjen e parë. Madrilenët kaluan në avantazh në minutën e 22-të me Vinicius Junior nga pika e bardhë, pas një penalltie të fituar nga vetë ai dhe që solli edhe kartonin e kuq për Bernardo Silva. Reagimi i anglezëve erdhi në fundin e pjesës së parë me Erling Haaland, që barazoi shifrat. Megjithatë, në minutat shtesë ishte sërish Vinicius ai që realizoi golin e fitores, duke vulosur kualifikimin e “Los Blancos”.
KOHA JONË SONDAZH

