Champions/ Liverpooli “digjet” në Stamboll, fitojnë Bayerni dhe Interi
Atletico Madrid, Bayern, Inter dhe Marseille kanë dhuruar spektakël në fushë, duke regjistruar fitore bindëse ndaj rivalëve të tyre. Ekipet angleze nuk patën një natë të lehtë në Champions League, teksa Liverpool dhe Tottenham u ndalën pa fitore, ndërsa vetëm Chelsea arriti të sigurojë një trepikësh minimal.
Galatasaray – Liverpool 1-0
Në “Rams Park” të Stambollit, Liverpool u mposht nga Galatasaray pas një penalltie të kthyer në gol nga Victor Osimhen në minutën e 15-të. Episodi erdhi pas faullit të Szoboszlait ndaj Yilmaz. Në pjesën e dytë, portieri Alisson u detyrua të largohej i dëmtuar, duke lënë vendin për Mamardashvilin. Në minutën e 88-të, anglezët menduan se kishin fituar një penallti, por pas ndërhyrjes së VAR-it, arbitri Clement Turpin e anuloi vendimin. Rezultat final: 1-0 për turqit.
Bodo/Glimt – Tottenham 2-2
Norvegjezët morën pikën e parë në fazën e grupeve duke barazuar me Tottenham. Pasi Kasper Hogh humbi një penallti në pjesën e parë, Bodo/Glimt kaloi në avantazh falë dopietës së Jens Hauge (53′, 66′). Van de Ven shkurtoi diferencën në minutën e 68-të, ndërsa në shtesë Spurs shpëtuan me një autogol të Gundersen që vulosi barazimin 2-2.
Chelsea – Benfica 1-0
Ndryshe nga rivalët e Premier League, Chelsea ia doli të fitojë në “Stamford Bridge”. Blutë u mjaftuan me një autogol të Richard Rios në minutën e 18-të, pas një topi të futur në zonë nga Garnacho. Deri në fund rezultati mbeti i pandryshuar, duke i dhënë londinezëve një fitore të rëndësishme.
Atletico Madrid – Eintracht Frankfurt 5-1
Skuadra e Diego Simeones nuk e diskutoi asnjë moment ndeshjen ndaj gjermanëve. Raspadori shënoi që në minutën e 3-të, ndërsa Le Normand dhe Griezmann trefishuan epërsinë që në pjesën e parë. Burkardt ngushtoi shifrat për Frankfurtin në minutën e 57-të, por Simeone dhe Alvarez (nga penalltia) vulosën fitoren e thellë 5-1 për “Colchoneros”.
Pafos – Bayern Munich 1-5
Bavarezët dominuan në Qipro duke mbyllur ndeshjen praktikisht në gjysmë ore lojë. Kane (dy gola), Guerreiro, Jackson dhe Olise ishin autorët e golave për Bayernin, ndërsa Orsic realizoi golin e nderit për vendasit.
Inter – Slavia Prague 3-0
Zikaltërit fituan pastër në “San Siro”, falë dopietës së Lautaro Martinez dhe golit të Dumfries. Thuram u dallua me dy asiste vendimtare, duke ndihmuar skuadrën e Inzaghit të sigurojë një trepikësh pa histori.
Marseille – Ajax 4-0
Skuadra e Roberto De Zerbit shkëlqeu në “Velodrome”. Paixao shënoi dy gola të shpejtë (6′, 12′), Greenwood trefishoi rezultatin në minutën e 26-të, ndërsa Aubameyang mbylli festivalin e golave në pjesën e dytë.
KOHA JONË SONDAZH

