Champions, Skënderbeu sot një hap larg historisë, Josa: Ia dalim pa eufori!
Sfida e kthimit mes Skënderbeut dhe moldavëve të Milsamit, për një vend në “Play-Off” të Champions do të luhet sonte në ora 20:45, në “Elbasan Arena”, ndërsa të gjitha biletat e këtij takimi janë shitur.
Pas fitores 2-0 në ndeshjen e parë në transfertë ndaj Milsami të Moldavisë, dhe shumë pranë kualifikimit në fazën “Play-Off” të Champions League, trajneri i Skënderbeut, Mirel Josa, vazhdon t’i mbajë lojtarët dhe tifozët larg euforisë.
Nga eksperienca e kaluar duket se ai nuk do që të përjetojë sërish ankthin e para 10 viteve, kur Tirana që drejtonte ai në atë kohë ishte shumë pranë, por u eleminua nga ky kompeticion.
“Kemi bërë deri më tani vetëm 50% të punës, Milsam është një skuadër që kërkon të luajë futboll dhe nuk do të vijë e dorëzuar këtu. Ne duhet të luftojmë që t’ia bëjmë punën vetës tonë sa më të lehtë, sepse në futboll asgjë nuk është e sigurt”, u shpreh trajneri i Skënderbeut, Mirel Josa.
Nga ana tjetër, edhe trajneri i skuadrës moldave para ndeshjes ka theksuar se, pavarësisht vështirësive, ata kanë ardhur në Elbasan për të bërë të njëjtën gjë, që bëri Skënderbeu në fushën e tyre.
“Skënderbeu tregoi edhe në fushën tonë, që është një skuadër e konsoliduar. E dimë që është e vështirë, por ne do të përpiqemi të përmbysim rezultatin e ndeshjes së parë. Kemi parë edhe më përpara, që në ndeshjet e kthimit janë përmbysur rezultatet”, tha Iurie Osipenco, trajneri i Milsamit.
Pesë herë kampionët e Shqipërisë janë shumë pranë historisë. Faza “Play-Off” në Champions është një hap larg për skuadrën korçare, ndërkohë që pas kalimit të këtij kundërshtari, pjesëmarrja në grupet e Europa League është e garantuar, një gjë që nuk është arritur kurrë më parë nga asnjë skuadër shqiptare.
KOHA JONË SONDAZH

