Chelsea zyrtarizon trajnerin Xabi Alonso, nis punën në muajin korrik
Pas humbjes në finalen e FA Cup ndaj Manchester City-it të drejtuar nga Pep Guardiola, Chelsea ka nisur zyrtarisht një kapitull të ri, duke konfirmuar emërimin e Xabi Alonso si trajnerin e ri të skuadrës.
Klubi londinez ka firmosur me teknikun spanjoll një kontratë katërvjeçare, e vlefshme deri në vitin 2030, duke shënuar rikthimin e tij në futbollin anglez pas eksperiencës së mëparshme si lojtar me Liverpoolin.
Vendimi i Chelsea-t vjen pas disa javësh vlerësimesh nga drejtuesit e klubit, të cilët e konsideruan Alonson profilin ideal për të udhëhequr një projekt të ri, të mbështetur te lojtarët e rinj dhe talentet premtuese. Spanjolli vjen pas një periudhe të suksesshme në krye të Bayer Leverkusen, ku arriti të fitojë titullin kampion, ndërsa eksperienca e tij më e fundit ishte te Real Madrid, nga ku u largua në janar.
“Chelsea është një nga klubet më të mëdha në botë”, deklaroi Alonso pas prezantimit zyrtar, duke theksuar ambicien e përbashkët me pronarët dhe drejtuesit për të ndërtuar një skuadër konkurruese në nivelet më të larta. Chelsea vjen pas një sezoni të vështirë, megjithëse kishte fituar më herët Botërorin e Klubeve gjatë verës së kaluar, me Enzo Maresca në stol.
KOHA JONË SONDAZH

