Chiellini: Juventusi është më i fortë se sezonin e kaluar, Yildiz do mungojë disa mungojë
Drejtuesi i Juventusit, Giorgio Chiellini, ka komentuar shortin e Europa League, ambiciet e bardhezinjve në kampionat, si dhe situatën e Kenan Yildiz, i cili do të mungojë për disa muaj për shkak të dëmtimit.
Në lidhje me shortin europian, Chiellini pranoi se është e vështirë të bëhen parashikime, por objektivi i Juventusit mbetet i qartë: të avancojë sa më shumë në kompeticion. Bardhezinjtë do të përballen me dy skuadra spanjolle, Real Sociedad dhe Celta Vigo.
“Mendoj se është e vështirë të gjykohet ky short. Morëm dy skuadra spanjolle, por objektivi ynë është të ecim përpara. Shmangëm disa transferta të komplikuara dhe tani duhet të tregojmë në fushë se e meritojmë të jemi në këto pozicione”, deklaroi Chiellini.
Ish-mbrojtësi i Juventusit foli edhe për objektivat e klubit në garën për titullin kampion. Sipas tij, Juventusi dhe Milani kanë një përgjegjësi të rëndësishme edhe në aspektin europian, pasi rezultatet në kompeticionet UEFA mund të ndikojnë në numrin e vendeve që Italia do të ketë në Champions League.
“Si ne, ashtu edhe Milani, kemi përgjegjësinë për të arritur një rezultat që mund të na lejojë të konkurrojmë edhe për një vend më shumë në Champions League. Jemi dy skuadra që e dimë sa të vështira janë ndeshjet, edhe në kampionat”, u shpreh ai.
Sa i përket garës për titull në Serie A, Chiellini pranoi se Interi nis me një avantazh ndaj rivalëve, por beson se situata mund të ndryshojë në ditët e fundit të merkatos.
“Për të fituar në Itali, Interi ka një avantazh të madh ndaj skuadrave të tjera. Diçka mund të ndryshojë në ditët e fundit dhe skuadra po përmirësohet. Spalletti është një vlerë e rëndësishme. Ekziston dëshira për të konkurruar, por nga këtu deri te rikthimi te fitorja nuk është e lehtë. Varet edhe nga skuadrat e tjera dhe dëmtimet. Ne mendojmë për veten”, tha Chiellini.
Drejtuesi bardhezi është optimist për ekipin, duke theksuar se Juventusi është përmirësuar në krahasim me sezonin e kaluar.
“Krahasuar me vitin e kaluar, skuadra është më e fortë dhe ne jemi gati”, përfundoi Chiellini.
Një pjesë e rëndësishme e deklaratës së Chiellinit ishte edhe situata e Kenan Yildiz. Talenti turk ka pësuar një dëmtim në metatarsal dhe do t’i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale, çka pritet ta mbajë jashtë fushave për disa muaj.
“Me dëmtimin e Kenan Yildiz kemi një mungesë të rëndësishme, por kjo do t’u japë mundësinë lojtarëve të tjerë të tregojnë veten. Mendoj se skuadra mund të zhvillojë një kampionat të mirë.
Ka këtë problem në metatarsal dhe do të duhet të operohet. Do të qëndrojë jashtë për disa muaj, por nuk është një dëmtim që rrezikon të ardhmen e tij. Do të rikthehet 100%. Është vetëm një pengesë e vogël dhe nuk do të ndikojë në karrierën apo paraqitjet e tij”, deklaroi Yildiz.
KOHA JONË SONDAZH

