Chivu emërohet trajneri i ri i Interit, firmos deri në vitin 2027

Cristian Chivu është emëruar zyrtarisht trajneri i ri i ekipit të parë të Interit. Klubi zikaltër ka bërë të ditur se ish-mbrojtësi rumun ka firmosur një kontratë që do ta mbajë në krye të skuadrës deri më 30 qershor 2027.
Në njoftimin e klubit thuhet: “Rrugëtimi i Chivu me Interin nisi me ekipin U14, për të vazhduar më pas me U17 dhe U18, deri në verën e vitit 2021 kur mori drejtimin e skuadrës Primavera. Në sezonin e tij të parë, ai arriti një sukses të madh, duke fituar një titull të mrekullueshëm kampion – i dhjeti në historinë e Primavera-s së Interit. Pas përfundimit të sezonit 2023/24, ai largohet nga klubi.”
Në shkurt të vitit 2025, Chivu mori një tjetër sfidë të rëndësishme: drejtimin e Parmës në Serie A, në përpjekje për të siguruar mbijetesën. Ai arriti të realizojë misionin e vështirë, në 13 ndeshje fitoi 16 pikë dhe e mbajti skuadrën në elitën e futbollit italian.
Tani, për herë të tretë në karrierën e tij, Chivu nis një kapitull të ri me Interin, këtë herë si trajner i ekipit të parë. Klubi thekson se kjo përvojë e re do të udhëhiqet, si gjithmonë, nga përkushtimi, fryma e sakrificës dhe puna e palodhur, vlera që e kanë karakterizuar gjithmonë Chivun.