
Trajneri i Interit, Cristian Chivu ka folur nw prag tw derbit tw shumëpritur ndaj Milanit, duke theksuar se skuadra e tij duhet të japë maksimumin dhe të mos kënaqet me atë që ka arritur deri më tani.
Zikaltrit vijnë në këtë përballje pas 7 derbesh radhazi pa fitore ndaj rivalëve të qytetit. Chivu e pranon se kjo është një statistikë që ngre pikëpyetje, por thekson se në ndeshjet e kaluara episodet nuk kanë qenë në favor të Interit.
“Nëse nuk e fitojmë derbin prej shtatë ndeshjesh, është e drejtë të shtrohet një pyetje. Kjo nuk do të thotë se lojtarët nuk janë angazhuar, por episodet nuk kanë qenë me ne. Më kujtohet edhe sezoni i kaluar. Duhet të kemi ekuilibër dhe motivim, si dhe të bëjmë disa sakrifica më shumë se në ndeshjet e tjera”, u shpreh trajneri zikaltër.
Tekniku i Interit u përpoq gjithashtu të ulë pritshmëritë për rëndësinë e derbit në garën për titull, duke kujtuar se kampionati është ende në fazat e para.
“Jemi vetëm në javën e dhjetë. Historia dhe kampionati i kaluar më kanë mësuar se një derbi nuk është domosdoshmërisht vendimtar. Është e qartë se kjo ndeshje mund t’i japë shumë njërës skuadër dhe t’i marrë diçka tjetrës, por nuk përcakton gjithçka. Milani fitoi ndaj nesh dhe më pas humbi me Lazion”, theksoi ai.
Në fund, Chivu ishte i qartë se në një derbi të tillë nuk mund të flitet për favorit.
“Nuk ka favorit në derbi. Energjitë i gjen te motivimi dhe krenaria për të fituar një ndeshje të tillë. Presioni është për të gjithë. Duhet të mendojmë vetëm të bëjmë gjërat e duhura në momentin e duhur. Të gjithë e dimë se çfarë të jep një derbi kur e fiton dhe çfarë të merr kur e humbet”, përfundoi trajneri i Interit.
