“Ciao Eriksen”/ Inter gati të largojë danezin
Erdhi me bujë. Madje Interi shpenzoi 27 milionë euro janarin e kaluar për ta sjellë në Serie A, por Christian Eriksen nuk ka arritur të shndërrohet në titullar të zikaltërve dhe së fundmi ka prishur edhe raportet me trajnerin Antonio Conte, të cilin e ka sulmuar shpesh me deklarata publike.
Për të zyrtarizuar largimin e tij ka menduar Drejtori Sportiv i Inter, Beppe Marotta që është shprehur: “Nuk duhet të mbajmë një lojtar që kërkon të largohet”.
Danezi mund të largohet që në merkaton e janarit, por cila mund të jetë e ardhmja e tij?
Për ish lojtarin e Tottenham interesohen Borussia Dortmund, Hertha Berlin dhe PSG. Madje, lidhur me këtë, flitet edhe për një shkëmbim të mundshëm me Leandro Paredes, por problem mbetet paga e futbollistit.
Eriksen fiton plot 7.5 milionë euro neto në sezon.
Portat e merkatos priten të hapen në janar dhe me shumë mundësi danezi nuk do të jetë më pjesë e Inter.