Ciao Zvicra! Berat Xhimshiti: Për Shqipërinë, edhe De Biazi më shkruante shqip

Mbrojtësi i ri nga Tërrnoci i Luginës së Preshevës, Berat Xhimshiti, është pajisur me pasaportë shqiptare dhe pritet t’i bashkohet skuadrës së Xhani De Biazit për dy ndeshjet e radhës që Kombëtarja shqiptare do t’i zhvilloj në muajin shtator ndaj Danimarkës dhe Portugalisë në ‘Elbasan Arena’. Në një intervistë dhënë për Telegrafin,  ai zbulon gjithçka, nga ftesa e Shqipërisë, bisedimet që kishte me Përfaqësuesen A të Zvicrës, fjalët që ia thanë lojtarët e Kombëtares, objektivat me klubin e tij Zyrih si dhe ofertat dhe interesimet nga klubet tjera.

Berat, tani je një shqiptar me dokumente, pasi je pajisur me pasaportën shqiptare?

Po, jam pajisur me pasaportën e Shqipërisë dhe jam shumë i lumtur për këtë gjë.

Swiss Digital Desktop Reklama

Të ka kërkuar edhe Përfaqësuesja A e Zvicrës, çfarë të bëri ta zgjedhësh Shqipërinë?

Swiss Digital Mobile Reklama

Unë jam shqiptar dhe për këtë do të luaj me Shqipërinë. Është e vërtetë që kam pasur kontakte edhe me Zvicrën, mirëpo mendja ime ka qenë te Shqipëria.

Si vendoset për të luajtur me Shqipërinë, të kanë folur shokët e skuadrës, Burim Kukeli dhe Armando Sadiku?

Burimi dhe Armando më kanë treguar për atmosferën që është në Kombëtare dhe më kanë thënë të vendosi vetë. E kam dëgjuar zemrën time, dhe zemra ime më detyroi të luaj për Shqipërinë.

Po me lojtarët tjerë të Kombëtares keni biseduar…

Shumicën nga ta i njoh pasi luajnë ose kanë luajtur në Zvicër, si Abrashi, Lenjani, Xhaka apo Ajeti. Të gjithë më kanë treguar se është mirë të luash për Shqipërinë dhe vetëm e kanë forcuar mendimin tim.

Çfarë veçon te kjo Shqipëri?

Padyshim që tifozët më të mirë në botë. Tifozët gjithmonë japin atmosferë fantastike dhe më ka lënë shumë përshtypje. Edhe grupi i lojtarëve është shumë i mirë dhe është një atmosferë shumë e mirë dhe desha të jem edhe unë pjesë e kësaj.

Keni kontaktuar me De Biasin apo me Paulo Tramexanin?

Me të dy kam qenë në kontakt të vazhdueshëm për afro gjashtë muaj apo një vit.

– Si ju bindi De Biasi të luani nën urdhrat e tij?

(Qesh)… Po e zbuloj një gjë shumë interesante, që kur më shkruante mesazhe më shkruante disa fjalë shqip. Kjo më ka lënë shumë përshtypje te trajneri dhe korrektësia e tij.

Ju luani disa pozita në fushë, si qendërmbrojtës, mbrojtës anësor por edhe mesfushor defensivë. Ku do të luani te Shqipëria?

Unë kam zgjedhur për të luajtur dhe këtë e vendos trajneri. Për mua mjafton të jem në fushë dhe do ta jap 100% nga vetja ime vetëm e vetëm për t’i ndihmuar Kombëtares së Shqipërisë.

Lojtari i parë nga Lugina e Preshevës që luajti me Kombëtaren A, ishte Arbnor Fejzullahu, si ndihesh ti që po e shton edhe një përfaqësues të Luginës në Kombëtare?

Është mrekulli që do të jemi dy lojtar nga Lugina në Kombëtaren A të Shqipërisë. Për fshatin tonë Tërrnocin kjo gjë është fantastike që dy lojtarë të jeni për Shqipërinë.

 Do të keni përkrahës nga Lugina në ndeshjet e Kombëtares?

Natyrisht, në Luginë ka tifozë të shumtë që janë fanatikë të Kombëtares së Shqipërisë, dhe në ndeshjet tona do të na përkrahin gjysma e Luginës.

Shqipëria është e dyta në renditje, sa ka gjasa për tu kualifikuar?

Momentalisht Shqipëria është në rrugë të mirë dhe besoj se do të shkojmë në evropian.

Ndeshjen e radhës e luani në udhëtim në Danimarkë, a do të ndaheshit të kënaqur me barazim?

Unë jam lojtar që futem gjithmonë në fushë për fitore dhe dua vetëm fitoren. Por ka ndeshje që ndonjëherë të kënaq edhe barazimi. Shpresoj që do t’i marrim tri pikë por nëse jo maksimumin, atëherë vetëm t’i ndalemi danezët.

Shqipëria ka edhe katër ndeshje deri në fund të eliminatorëve, sa pikë mendoni se mund t’i merrni?

Të katër këto ndeshje janë si finale, dhe besoj që minimumi do t’i marrim gjashtë pikë. Por përderisa e kemi mundur Portugalinë si mysafir pse mos t’i mundim përsëri në Shqipëri. Kombëtarja ende nuk ka pësuar humbje dhe mund t’i mbyllemi kualifikimet pa humbje.

Jeni lindur dhe rritur në Zurich, deri më tani nuk keni ndërruar skuadër?

Jam shumë i lumtur te Zurichu. Kjo është skuadra ime e zemrës dhe e fillova edhe një stinor tjetër me këtë fanellë.

A do të qëndroni ende në Zurich pasi janë përmendur disa emra të disa skuadrave?

Është e vërtetë që disa skuadra po më përcjellin por ende diçka zyrtare nuk ka për momentin. Ka kohë ende deri në fund të afatit kalimtar të verës, dhe nuk i dihet asnjëherë të ardhmes.

 Nëse qëndroni në Zurich cilat janë objektivat tua me klubin?

Të luajë sa më shumë dhe të fitoj edhe ndonjë kupë apo titull me klubin. Deri më tani e kam një Kupë dhe shpresoj të fitoj përsëri me Zurichun.

Diçka për fund?

Faleminderit shumë të gjithë tifozëve kuq e zi që më kanë shkruar dhe uruar për zgjidhjen që kamë bërë. Unë e kam obligim të luaj me Shqipërinë dhe shpresojë të ju bëjë krenar për shumë vite.

 

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi mirë Rama me ndryshimet në qeveri?