City u ndal sërish, Guardiola: Krijojmë shumë, por shpërdorojmë!
Viti 2026 nuk ka nisur në mënyrën më të mirë për Manchester City. Pas tre ndeshjeve radhazi pa fitore, të gjitha të mbyllura në barazim, skuadra e Pep Guardiolës vazhdon të japë ndjesinë e një ekipi që prodhon shumë lojë, por nuk arrin ta konkretizojë në rezultate. Edhe përballë Brighton, “qytetarët” u ndalën në shifrat 1-1, duke humbur mundësinë për t’u afruar më shumë me kryesuesit.
Barazimi i fundit i ka lejuar përkohësisht City-t të ngushtojë diferencën me Arsenalin, por “Topçinjtë” mund ta rikthejnë sërish distancën deri në tetë pikë nëse fitojnë ndaj Liverpoolit. Më herët, City kishte barazuar 0-0 me Sunderland dhe kishte pësuar gol në minutat e fundit kundër Chelseat, duke lënë pikë të rëndësishme rrugës.
Një problem që po përsëritet është shpërdorimi i rasteve, sidomos në fundin e ndeshjeve. Edhe ndaj Brighton, City krijoi disa mundësi të pastra, por pa arritur t’i shfrytëzojë. Pep Guardiola e pranoi hapur këtë situatë pas ndeshjes, duke theksuar se mungon efikasiteti para portës.
“Luajmë mirë, krijojmë shumë raste, por nuk shënojmë. Nuk është faji i një lojtari të vetëm, por i gjithë repartit ofensiv”, u shpreh tekniku katalanas.
Guardiola hodhi poshtë krahasimet me sezonin e kaluar, duke insistuar se ekipi aktual ka më shumë energji, intensitet dhe dëshirë për lojë. Megjithatë, ai pranoi se pa fitore nuk mund të flitet për objektiva madhorë. “Nëse nuk fitojmë, nuk mund të mendojmë për titullin”, tha ai me realizëm.
KOHA JONË SONDAZH

