Çmenduri me 9 gola në Paris, PSG-Bayern dhurojnë spektakël në gjysmëfinalen e parë
PSG ka hedhur një hap të rëndësishëm drejt finales së UEFA Champions League, pasi mposhti me rezultatin spektakolar 5-4 Bayern Munich në ndeshjen e parë gjysmëfinale, të zhvilluar në Parc des Princes. Sfida e kthimit do të luhet më 6 maj në Allianz Arena.
Takimi nisi me epërsinë e miqve, teksa Harry Kane realizoi nga pika e bardhë në minutën e 17-të. Reagimi i vendasve erdhi në minutën e 25-të, kur Khvicha Kvaratskhelia barazoi shifrat pas asistit të Desire Doue.
Në minutën e 33-të, parizienët përmbysën rezultatin me një gol me kokë të Joao Neves pas një goditjeje nga këndi. Megjithatë, bavarezët reaguan shpejt dhe barazuan në minutën e 41-të me Michael Olise.
Në kohën shtesë të pjesës së parë, PSG fitoi një penallti pas konsultimit me VAR për një prekje me dorë nga Alphonso Davies. Nga 11-metërshi nuk gaboi Ousmane Dembele, duke çuar rezultatin në 3-2.
Në pjesën e dytë, vendasit thelluan avantazhin. Fillimisht ishte sërish Khvicha Kvaratskhelia që realizoi golin e katërt pas një krosimi të Achraf Hakimi, ndërsa në minutën e 59-të Ousmane Dembele shënoi edhe golin e pestë, pas asistit të Desire Doue.
Bayern u rikthye në lojë në minutën e 65-të me golin e Dayot Upamecano, ndërsa në minutën e 70-të Luis Diaz ngushtoi diferencën në 5-4, gol i konfirmuar pas rishikimit me VAR.
Pavarësisht përpjekjeve të minutave të fundit, rezultati nuk ndryshoi. PSG siguron një fitore minimale, duke lënë gjithçka të hapur për ndeshjen e kthimit në Mynih.
KOHA JONË SONDAZH

