“Conference League”, Shena: Rinasi me staf të trefishuar, presim rreth 20 mijë tifozë
Rinasi që mbetet porta kryesore hyrëse në vend, është gati të mirëpresë rreth 20 mijë pasagjerë, tifozë të dy skuadrave pjesëmarrëse në finalen e Conference League.
Përgjegjëse e Marketingut dhe Komunikimit, Denisa Shena thotë se Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza” është gati të presë tifozët që do të vijnë për finalen e 25 majit.
“Do të kemi rreth 20 mijë persona që do t’i shtohen fluksit të lëvizjeve përgjatë ditëve të ndeshjes, që do të vijnë të organizuar kryesisht me charter”, tha Shena. Pritet të ketë edhe shtim të numrit të fluturimeve në rreth 65 fluturime në ditë.
“Përveç charter-ave do të ketë shtim të fluturimeve, që sipas parashikimeve tona, pritet të shkojnë deri në 65 fluturime në ditë. Ne sigurojmë pasagjerët që gjithçka do të jetë gati dhe do tu ofrohet shërbimi i duhur, pasi shtimi i fluksit të pasagjerëve nuk përbën problem për ne, sepse ne përballemi me numër të lartë fluturimesh dhe pasagjerësh prej disa vitesh gjatë sezonit veror, kur në muajin gusht ka pasur deri në 80 fluturime në ditë dhe ja kemi dalë”, deklaroi Shena.