
Marrëdhënia mes Thibaut Courtois dhe kombëtares belge duket se po kalon një periudhë delikate. Pas Botërorit 2026, portieri madrilen ishte orientuar drejt largimit nga përfaqësuesja, por më pas ndryshoi qëndrim dhe u shpreh i gatshëm për t’u rikthyer. Megjithatë, mosgrumbullimi në ndeshjet e fundit ka ngritur pikëpyetje të reja.
Në një intervistë për DAZN, Courtois zbuloi një detaj që ka tërhequr vëmendjen, duke konfirmuar se nuk është më pjesë e grupit të lojtarëve në WhatsApp.
“Më kanë hequr nga grupi i lojtarëve. Ai shërben për të komunikuar informacione, si për shembull për stërvitjet. Herë pas here ka edhe mesazhe të tjera, por jo shumë”, deklaroi portieri belg.
Megjithatë, 115 ndeshje me kombëtaren dhe pjesëmarrja në katër Kupa Bote nuk e kanë bërë Courtois të kërkojë privilegje. Ai theksoi se nuk pret garanci për një vend titullari.
“Askush nuk duhet të ma garantojë vendin. Nuk kam shkuar kurrë në kombëtare duke menduar se do të luaja automatikisht. E njoh veten dhe cilësitë e mia, por nëse trajneri preferon portierë të tjerë, nuk ka problem”, u shpreh ai.
Në drejtimin e Mark van Bommel, Belgjika ka nisur të mbështetet më shumë te lojtarët e rinj. Pavarësisht situatës së tij personale, Courtois vlerësoi punën e trajnerit dhe perspektivën e përfaqësueses.
“Skuadra po shkon në drejtimin e duhur, ashtu si edhe trajneri. Kjo kombëtare ka një të ardhme të madhe”, përfundoi gardiani i Real Madridit.
