Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi, dallimet kryesore sipas Johan Cruyff
Johan Cruyff thotë se Lionel Messi është superior si lojtar për ekipin, krahasuar me Cristiano Ronaldon, pasi argjentinasi mendon më shumë për lojën kolektive sesa ylli portugez i futbollit.
Legjenda holandeze foli për “France Football”, rreth dyshes rivale të “Topit të Artë”, dhe sipas tij Ronaldo zotëron talent individual por fokusohet vetëm për të shënuar vetë.
“Messi është një lojtar që shkëlqen bashkë me lojën e ekipit dhe në këtë sens, ai është brenda lojës kolektive. Nga ana tjetër, Ronaldo ka një mjedis më të reduktuar. Pozicioni i tij në fushë është i tillë, pasi mendon që të ndihmojë ekipin duke shënuar ai vetë sa më shumë gola. Kjo është diferenca. Messi shënon po ashtu, duke pasur avantazhin e kualitetit që zotëron, por pa e humbur lidhjen me shokët e tjerë të ekipit,” – thotë ish-lojtari dhe trajneri i famshëm holandez, që mbylli karrierën te Barcelona.
Sakaq, ish-presidenti i Barcelonës, Joan Laporta shkon edhe më tej dhe nuk lë vend për diskutime. – “Për mua, me respekt për të gjithë lojtarët e tjerë të mëdhenj, Messi është më i miri mbi të gjithë,” – thotë Laporta. “Ai gjithnjë ka qenë i tillë, jo vetëm si lojtar, por edhe si person.”
Ronaldo vazhdon të jetë një lojtar vendimtar për Real Madrid këtë sezon, ndërsa Messi sapo ka lënë pas dëmtimin. Sulmuesi i “Los Blancos” ka shënuar 16 gola në vetëm 18 ndeshje në La Liga dhe Champions League.
Nga ana tjetër, rikthimi i Messit, në “El Clasico” tregoi diferencën mes dy ekipeve elitare dhe reflekton atë çka thotë Cruyff rreth diferencës së dy lojtarëve.
A.M/Koha Jonë
KOHA JONË SONDAZH

