Cristiano Ronaldo flet për fundin e karrierës: Nuk e di kur do të ndodhë!
Cristiano Ronaldo ka folur për të ardhmen e tij dhe mundësinë e tërheqjes nga futbolli, duke pranuar se ende nuk e di se kur do t’i japë fund karrierës.
Në një konferencë për shtyp, ylli portugez u shpreh se tashmë ka mësuar të jetojë të tashmen dhe të mos shqetësohet shumë për atë që do të ndodhë në të ardhmen.
“Nuk e di se kur do të përfundojë karriera ime. Do të doja t’ju përgjigjesha, por nuk e di. Kam mësuar të jetoj të tashmen dhe të mos mendoj për të nesërmen”, deklaroi Ronaldo.
Pesë herë fituesi i Topit të Artë foli edhe për të ardhmen e tij me kombëtaren e Portugalisë. Ronaldo theksoi se nuk do të kishte asnjë problem të largohej nga përfaqësuesja nëse federata apo stafi teknik nuk do të llogarisnin më tek ai.
“Nëse Portugalia nuk dëshiron të llogarisë më tek unë, mund të largohem që sot. Nuk kam asnjë problem me këtë”, tha kapiteni portugez.
Megjithatë, Ronaldo shtoi se mbështetja që merr nga tifozët portugezë është një prej arsyeve kryesore përse vazhdon të luajë me kombëtaren.
“Populli portugez mbështetet tek unë, prandaj vazhdoj të luaj për kombëtaren”, u shpreh Cristiano Ronaldo.
Deklaratat e tij lënë të hapur të ardhmen e 41-vjeçarit, i cili, pavarësisht moshës, vijon të jetë një prej figurave kryesore të Portugalisë.

